Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka vlerësuar si historike marrëveshjen e 19 prillit që u arrit vitin e kaluar me Serbinë, pas bisedimeve në Bruksel.

Përmes një komunikate për media, Thaçi ka thënë se marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka mbyllur kapitullin e përgjakur ndërmjet dy popujve dhe ka hapur kapitullin e paqes dhe të fqinjësisë së mirë.

“Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Kosova është shtet funksional dhe me kufij të sigurt në tërë territorin e saj. Po ashtu, fillimi i zbatimit të marrëveshjes është një arritje në vijim dhe është duke dhënë rezultate të prekshme”, ka vlerësuar Thaçi.

Mbajtja e zgjedhjeve lokale, të parat me ligjet e Kosovës në tërë territorin, zhbërja e strukturave ilegale të sigurisë dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës, sipas kryeministrit janë ndër treguesit e qartë të suksesit të kësaj marrëveshjeje.

Sipas Thaçit, marrëveshja e Brukselit ka krijuar klimë të mirë politike në rajon, duke hapur perspektivë të sigurt për integrim të Kosovës në institucionet euroatlantike, në NATO dhe BE.

Top Channel