Rama: Legalizimet falas, realitet

19/04/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama theksoi në Korçë se qeveria do të ndryshojë balancat e krijuara në procesin e legalizimeve, duke përmbysur raportin e zhdrejtë aktual  me vetëm 5 përqind të banesave të legalizuara dhe pjesës tjetër që vazhdonte të qendronte peng i premtimeve boshe.

“Ne do të bëjmë që e kundërta të ndodhi dhe në fund të 4 viteve shifrat të jenë të përmbysura dhe pjesa dërrmuese të jetë pronare, jo vetëm de facto por edhe de jure dhe të figurojë në hipotekën e shtetit si pronar i asaj shtëpie dhe trualli”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama u ndal tek procedurat e legalizimit, që deri dje ishin burokratike dhe burim korrupsioni.  

“Ne do japim legalizimet për të gjithë, pa asnjë dallim dhe pa asnjë vonesë, kuptohet këtu vetëm koha që duhet për plotësimin e dokumentacionit. Nuk do të jenë më qytetarët që do të shkojnë tek ALUIZNI, por do të jetë ALUIZNI që do të shkojë shtëpi më shtëpi dhe do të ndihmojë në plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm. I gjithë dukumentacioni do të jetë falas, pa asnjë pagesë”, tha Rama.

Por cilat kategori e përfitojnë plotësisht falas këtë proces, dhe cilat kategori do të duhet të paguajnë një shumë të caktuar?

“Kush ka ndërtuar në tokën e tij do ta ketë plotëisht falas, ndërsa kush ka ndërtuar në tokën e tjetrit, apo në tokën e shtetit do të derdhë një kontribut fare të ulët në krahasim me vlerën reale të tokës në mënyrë që të sigurohet një fond për dëmshpërblimin e pronarit”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se pagesa mund të kryhet menjëherë ose më vonë, por si ai që do të paguajë, si ai që nuk do të paguajë, do të marrin dokumentin e pronësisë, por ai që nuk do të paguajë menjëherë do të regjistrohet në hipotekë me një kusht shlyerjen e detyrimit.

Kryeministri Rama ka theksuar se procesi i legalizimeve mbyllet me këtë
fazë të fundit dhe nuk do të lejohen më ndërtimet pa leje. Më pas ka nisur edhe procesi i shpërndarjes se certifikatave të para, ku nuk kanë munguar as batutat.

Në fjalën e tyre, kreu i ALUIZNI-t Artan Lame dhe Ministrja e Zhvillimit
Urban dhe e Turizmit, Eglantina Gjermeni deklaruan se shpërndarja e
dokumentacioneve të legalizmit të banesave falas është një premtim
elektoral i Partisë Socialiste që po jetësohet.

Edhe zv.Kryeministri Niko Peleshi vuri theksin tek rëndësia që ka ky
proces duke vlerësuar se të gjithë shqiptarët janë dëshmitarë të
dështimit të ligjit të mëparshëm.

Top Channel