Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë Blerand Stavileci ka zgjedhur një takim me kultivuesit e pemëve në fshatin Kovragë të Istogut për të premtuar se në katër vitet e ardhshme do të investohen 500 milionë euro në bujqësi.

Pemëtarët e këtij fshati morën premtime nga kreu i Qeverisë se ndihma për ta nuk do të ndalet as në të ardhmen për të rritur prodhimin.
 
“Ne do të vazhdojmë të investojmë në sektorin e bujqësisë, do të investojmë fuqishëm edhe në sektorin e pemëtarisë. Unë dua vetëm të potencoj, se kemi vendosur që për katër vitet e ardhshme, për sektorin e bujqësisë të ndajmë 500 milion euro investime, ndërsa, pemëtaria d o të jetë njëri prej sektorëve të rëndësishëm të këtyre investimeve. Ndërsa, për çdo hektarë tash e tutje që ju mbillni mollë, apo drejtpërdrejtë në sektorin e pemëtarisë, ju do të fitoni të gjithë pa dallim, në Kovragë, në Burim dhe gjithë Kosovën nga 300 euro për hektar”, ka thënë Thaçi.

Gjatë një bashkëbisedimi me pemëtarët, kryeministri kosovar i ka ftuar ata që të bëjnë projekte dhe të aplikojnë me to për të përfituar nga fondi për punësim prej 1.5 miliardë euro. Nga ana e tyre, pemëtarët i kërkuan kryeministrit Thaçi dhe Ministrit të Bujqësisë Stavileci që të ndërtojnë një fabrikë për përpunimin e frutave.
 
“Kisha pasur një dëshirë për të ardhmen të bëhet, meqë e dëgjova edhe kryetarin e shoqatës, të bëhet një fabrikë. Qeveria këtu diku në Burim, nuk po them në Kovragë, por diku pak më në qendër…jo unë nuk desha vetëm për vete por për popullin, ku e zgjedh pikën me të mirë qeveria….”, ka thënë Blakaj”, thotë Nazif Blakaj, pemëtar.

Pasi kanë bashkëbiseduar me pemëtarët, Ministri i Bujqësisë Blerand Stavileci është përgjigjur në pyetjet e kultivuesve të pemëve, duke thënë se subvencionet për ta do të vazhdojnë.

Fshati Kovragë i Istogut ka të mbjella mbi 80 hektarë me pemë, kryesisht me mollë.

Top Channel