“Krishti u ngjall, vërtet u ngjall. Me këtë frazë, besimtarët e krishterë kanë pritur datën më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, ngjalljen e Krishtit”.

Në meshën e drejtuar nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, mbajtur në ambientet e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, ky i fundit ka bërë thirrje për më shumë paqe e mirëkuptim mes njerëzve.

“Kjo dritë, me të gjitha ngjyrimet e saj, të na zgjojë gjatë gjithë periudhës së sivjetshme dhe të udhëheqë besimtarët dhe jobesimtarët në një përpjekje të re për mirëkuptim të ndërsjelltë, pajtim, vëllazëri dhe ecuri krijuese”, u shpreh kryepeshkop Anastasi.

E kur akrepat kanë shënuar mesnatën, Flaka e Shenjtë u është shpërndarë të gjithë besimtarëve të pranishëm.

Një tjetër rit i kësaj feste është dhe thyerja e vezëve të kuqe.

Edhe këtë vit, besimtarët janë lutur për më shumë mbarësi e lumturi në familjet e tyre.

Pas përfundimit të ceremonisë, besimtarët me qirinjtë e ndezur në duar kanë çuar në banesat e tyre Flakën e Shenjtë.

***

Edhe në Katedralen e Shën Palit, besimtarët katolikë kanë pritur mesnatën për të kremtuar ngjalljen e Krishtit.

Në meshën e drejtuar nga Imzot Rrok Mirdita është bërë thirrje për më shumë paqe e dashur mes tyre.

“Të mos kemi frikë, të dashur vëllezër e motra. Sepse në galilenë e jetës sonë, plot drita të rreme e dëshira të vërteta, gjendet Krishti i ringjallur, i cili na mbush me dritë e me jetë”, deklaroi Imzot Rrok Mirdita.

Edhe në Katedralen Katolike nuk kishte si të mungonte veza e kuqe, simboli kryesor i Pashkës.

Besimtarët katolikë, pasi kanë uruar njëri-tjetrin, shpresojnë që kjo Pashkë t’i gjej me më shumë lumturi në familjet e tyre.

Pas ceremonive fetare në Kishë, festa zhvendoset në familje, ku dreka e së dielës është përmbyllja e Javës së Madhe, që sjell për të gjithë besimtarët e krishterë, mesazhin që jeta mbizotëron mbi vdekjen dhe shpresa mbizotëron mbi zhgënjimin.

Top Channel, me këtë rast, uron të gjithë të krishterët shqiptarë, Gëzuar ditën e Pashkëve!

Rama merr pjesë në ceremonitë në qytetin e Korçës

Mesha e shenjtë është mbajtur edhe në Katedralen e qytetit të Korçës, një qytet me traditë të njohur fetare. Klerikët drejtues të Mitropolisë së Korçës kanë drejtuar ceremoninë kushtuar Pashkëve. Këto ceremoni dhe mesha janë ndjekur edhe nga kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, të cilët u ndodhën në qytetin e Korçës.

Top Channel