Ukrainë, Pashkët evidentojnë përçarjen

20/04/2014 00:00

Mesazhet e patriarkëve ortodoksë për Pashkë në Kiev dhe Moskë kanë nënvizuar ndarjen e thellë në Ukrainë, ku vazhdon ende konfrontimi i tensionuar në Lindje.

Kreu i kishës ortodokse të Ukrainës, patriarku Filaret akuzoi Rusinë për “agresion” dhe “djallëzi”. Ndërkohë, patriarku i kishës ruse Kirill i kërkoi Zotit t’i japë fund ëndrrës së atyre që duan të ndajnë veçmas Rusinë dhe Ukrainën.

Aktivistët pro-rusë në Lindje vazhdojnë të mbajnë të “pushtuara” zyrat e qeverisë, ndërsa media ruse raporton për disa të vdekur pas një përplasje me armë në qytetin lindor të Sloviansk-ut.

Raportime për të vdekur në rajon ka pasur edhe më parë, por pa u konfirmuar në mënyrë të pavarur nga media të huaja. Një ndërmjetës nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) pritet të zhvillojë një takim me ta ditën e sotme (e diel).

Ertogrul Apakan, i cili kryeson misionin special të OSBE-së në Kiev, tha se zëvendësi i tij do të jetë në Donjeck, teksa do të përpiqet t’i bindë ata mbi marrëveshjen e arritur të enjten në Gjenevë, mes SHBA-Rusi-Ukrainë-BE, për t’i dhënë fund krizës.

Në mesazhin e tij për Pashkë, patriarku Filaret tha: “Kundër vendit tonë paqedashës, që me vullnet të plotë dorëzoi edhe armët bërthamore, ka pasur një agresion të pastër dhe padrejtësi. Një vend që garantonte më herët integritetin dhe paprekshmërinë e territorit tonë ka kryer një agresion. Zoti nuk mund të jetë në krah të djallit, kështu që armiku i popullit ukrainas është i dënuar me humbje”, tha ai. “Zot, na ndihmo të ringjallim Ukrainën”.

Në Moskë, patriarku Kirill apeloi për paqe, duke thënë se “ajo duhet të mbretërojë në zemrat dhe mendjet e vëllezërve dhe motrave tona, me gjak të njëjtë dhe me besim të njëjtë”. Por, ai tha gjithashtu se Ukraina ka qenë “shpirtërisht dhe historikisht” njësh me Rusinë, ndaj dhe u lut për të, për të pasur autoritete “të zgjedhura ligjërisht”. “Ne jemi njerëz të thjeshtë përpara Zotit”, tha ai.

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksander Turchynov, tha në mesazhin e tij për Pashkë: “Jemi duke jetuar një moment vendimtar, kur populli ukrainas ka afirmuar vendosmërisht se do të luftojë për liri dhe drejtësi”.

Ndërkohë, kryeministri i përkohshëm i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, se po përpiqet “të rikthejë Bashkimin Sovietik”.

Ditën e martë, Kievin pritet ta vizitojë zv/presidenti amerikan, Joe Biden.

Top Channel