OPCW: Siria në rrugën e duhur

20/04/2014 00:00

Siria ka shkatërruar shumicën e materialeve të saj të armëve kimike, ka bërë të ditur Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW), ditën e shtunë.

“Republika arabe e Sirisë ka hequr apo ka shkatërruar në vend rreth 80% të përbërësve të saj të armëve kimike”, njoftoi Këshilli Ekzekutiv i OPCW-së.

OPCW deklaroi gjithashtu se regjimi i presidentit sirian, Bashar al-Assad, është tashmë në rrugën e duhur për të kompletuar asgjesimin e armëve kimike të vendit gjatë ditëve të ardhshme. Nëse kjo ndodh, Siria do të jetë tërësisht në akordim me afatin e përcaktuar nga OPCW për shkatërrimin e armëve kimike përpara fundit të Prillit.

“Ritmi i rinovuar i lëvizjeve është pozitiv dhe i nevojshëm për të siguruar progres, kur po vijmë drejt fundit të afatit”, tha Sigrid Kaag, koordinatore speciale e misionit të përbashkët mes OPCW dhe OKB, në Damask.

Në Mars, Siria dorëzoi në OPCW një propozim të rishikuar për asgjesimin e armëve të saj kimike, që kishte si afat fundin e muajit Prill. Afati i ripërcaktuar në propozim erdhi pas raportimit të muajit Shkurt nga OPCW se Siria kishte nxjerrë nga vendi vetëm 11% të stokut të armëve të saj për asgjesim, duke dështuar për ta përmbushur këtë zotim brenda afatit të parë të vendosur më 5 Shkurt.

Ngathtësia e lëvizjeve për transferimin e tyre detyroi Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, të paralajmëronte në Janar se të gjitha opsionet mbeten ende të mundshme për shqyrtim, për të detyruar përmbushjen e angazhimeve.

Al-Assad pranoi të hiqte dorë nga i gjithë arsenali kimik i Sirisë, vjeshtën e kaluar, në mënyrë që të shmangte një sulm ushtarak të mundshëm të Shteteve të Bashkuara kundër regjimit.

Top Channel