SHBA, trupa në Poloni e Estoni. Putin: S’tërhiqemi!

20/04/2014 00:00

Deklarata e Gjenevës nuk ka ndalur luftën e fjalëve mes Rusisë dhe fuqive të Perëndimit. Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Rusinë se kanë nxitur paqendrueshmërinë në Ukrainë dhe ka vendosur sanksione ndaj disa prej zyrtarëve rusë.

Perëndimi ka përsëritur vazhdimisht thirrjen ndaj Rusisë për të tërhequr rreth 40 mijë trupat ushtarake të dislokuara pranë kufirit lindor të Ukrainës, siç bën të ditur NATO. Por, Moska këmbëngul se ata janë atje vetëm për stërvitje ushtarake.

Në një intervistë të publikuar në faqen e internetit të televizionit shtetëror rus “Rossiya 1”, presidenti Vladimir Putin deklaron se nuk do të dorëzohet përpara kërkesave të Perëndimit. Por, të shtunën, Putin u shpreh gjithashtu se nuk ka asnjë arsye përse marrëdhëniet mes Lindjes dhe Perëndimit të mos i rikthehen normalitetit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, “ITAR-Tass”.

“Kjo nuk varet nga ne, apo më mirë të them jo vetëm nga ne. Kjo varët edhe nga homologët tanë”, është cituar të ketë thënë ai. “Besoj se nuk ka asgjë që mund të pengojë përmirësimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin normal”.

Ndërkaq, reagimi diplomatik nga njëra palë te tjetra, shihet te fjalët e një zyrtari të Perëndimit, se trupat ushtarakë të Shteteve të Bashkuara do të marrin pjesë në stërvitjet ushtarake në Europën Lindore.

Zyrtari, i cili ka dijeni të plotë të planit, tha se stërivjet do të zhvillohen në javët në vijim në Poloni e Estoni. Të dy këto vende janë aleatë të SHBA-ve dhe ndajnë kufijtë me Rusinë. Zyrtarët në Poloni e Estoni kanë shprehur shqetësimin mbi lëvizjet ushtarake të Rusisë së fundi, si dhe veprimet brenda dhe përreth Ukrainës.

Por, pavarësisht këtij lajmi, raportohet se qeveria ruse ka në plan të shpërblejë trupat ushtarakë të kombit, që morën pjesë në aneksimin e Krimesë, muajin e kaluar.

Putin u shpreh se “nuk e di nëse do të mund t’i njohim ata që morën pjesë në atë mision, në të ardhmen e afërt, por shpërblimet e qeverisë do të jepen pa dyshim”.

Nga Ukraina raportohet së fundi se 4 persona kanë vdekur nga një sulm me armë ndaj një postoblloku të ngritur nga militantë pro-rusë pranë Slaviansk-ut, në lindje të Ukrainës.

Lajmi konfirmohet nga një përgjegjës lokal, i cili saktëson se 3 prej viktimave janë pro-rusë, ndërsa i katërti është vet agresori. Të shtunën, qeveria e Kievit kishte ofruar një “paqe” për Pashkë ndaj separatistëve pro-rusë, duke pezulluar operacionet ushtarake të nisura ditë më parë.

Top Channel