F1, Alonso: Jemi përmirësuar, por duhet qetësi

20/04/2014 00:00

Objektivi është përmbushur për Fernando Alonso-n, i cili siguroi vendin e tretë në Çmimin e Madh të Kinës.

“Ishte një fundjavë pozitive. Kemi përmirësuar makinën dhe ishte një
surprizë e bukur të ngjitesha në podium. Tashmë jam i treti edhe në
klasifikimin e pilotëve, pas dyshes së Mercedes-it. Këtë vit e kemi
nisur jo siç do kishim dashur, por jemi ende në luftë. Zhurma ishte e
madhe në fillim, u kisha sugjeruar ekipit ta kontrollonin atë, por për
fat nuk ka pasur probleme”.

Spanjolli më pas vijoi: “Në garat e para nuk ishim mirë, por është gjë e bukur të rikthehesh në pod pas një fundjave të vështirë, si dhe një gare me shumë ndryshime. Kishte shumë gjëra për të parë, gomat për të kontrolluar, si dhe shumë aksione në pistë. Kjo është një kthesë e rëndësishme për motivimim e ekipit dhe për t’u përmirësuar akoma. Kemi bërë pak ndryshime, por kemi ecur përpara me hapa të vegjël, të cilat na kanë bërë më kompetitivë. Tashmë duhet të ruajmë qetësinë, t’i gëzohemi rezultatit, por ka ende rrugë për të bërë. Nuk mund të premtojmë asgjë për Barcelonën”.

Si gjithnjë, më pak kumbuese fjalët e Kimi Raikkonen, i cili duket se po kalon një periudhë të vështirë. “Nuk e di çfarë na mungon. Ishte një fundjavë katastrofike. Në garë nuk kisha shpejtësi dhe shkatërrova gomat e përparme. Sigurisht, mora disa pikë, por është vërtet e vështirë. Mirë për Alonso-n, por nuk e di se çfarë më ndodhi mua në garë. Duhet të përmirësohemi”.

Një garë e parë e mirë për Marco Mattiacci-n në krye të skuderisë Ferrari. Me pak fjalë, por domethënëse, menaxheri i ri i “kokëkuqes”, pas vendit të tretë të Alonso-s në Kinë, tha: “Tashmë duhet të kemi vazhdimësi. Ky është Ferrari”.

Top Channel