Pashkët, urimet e politikanëve

20/04/2014 00:00

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta u ka uruar të gjithë besimtarëve të krishterë Pashkët, ditën simbol të ringjalljes së Krishtit, festa më e rëndësishme në kalendarin e tyre, por ai e ka përgjithësuar urimin duke ia drejtuar edhe të gjithë popullit shqiptar, duke u shprehur për më shumë dashuri.

Në fjalën e tij, zoti Meta u shpreh: “Sikurse zoti na deshi dhe na mësoi me sakrificën dhe shembullin e tij, edhe ne duhet të duam njëri-tjetrin dhe të bëjmë që edhe të tjerët të na duan neve. Ky është mesazhi im i dhënë për të gjithë besimtarët e krishterë, si dhe për të gjithë qytetarët tanë në këtë ditë feste”, uroi kreu i Kuvendit, Ilir Meta, duke dalë nga kisha ortodokse.

Urimin e tij e ka dërguar edhe kreu i shtetit shqiptar, presidenti Bujar Nishani, për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik në faqen e Presidencës.

“Të dashur besimtarë ortodoksë! Festa e Pashkëve, duke na forcuar edhe më shumë besimin dhe dëshirën për mirësi, na shtyn të gjithëve, besimtarë ortodoksë apo jo, të rigjallërojmë shpresën dhe forcën për të qenë ashtu si na e  kërkon vetë dita e shënuar e Pashkëve. Dita e Ringjalljes na ndihmoftë të gjithëve për të besuar edhe më shumë tek e mira, për të qenë të prirur ndaj bashkëjetesës së harmonishme! Sivjet ne kemi sfidën e madhe për t’iu afruar edhe më shumë familjes europiane. Kjo sfidë varet më së shumti nga mirëkuptimi që do të jemi të zotë të realizojmë midis nesh dhe nga dëshira për të pasur një vështrim më të kthjelltë mbi të nesërmen. Të besosh tek e mira, te shpresa, te paqja dhe te jeta më e mirë, është oguri më i natyrshëm në këtë festë. Dhe ne meritojnë edhe shpresën, edhe jetën më të mirë. Gëzuar Festën e Pashkëve!” – theksohet në mesazhin e urimit të Presidentit Nishani.

Në këtë ditë nuk kanë munguar as urimet e ministreve të kabinetit Rama, Kumbaro dhe Nikolla, respektivisht ministre të Kulturës dhe Arsimit e Sportit.

“U urojmë të gjithë shqiptarëve, të harmonisë mes besimeve fetare, le të jetë kjo ditë ringjallje një ditë bashkimi për të gjithë politikanët, për të ecur përpara në rrugën e progresit në projektet tona inovatore dhe për të çuar Shqipërinë shumë më pranë vendeve të Bashkimit Europian” deklaroi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

“Gëzuar pa dallim, majtas e djathtas, sa më shumë bashkëjetesë, aq më shumë festa e dashamirësi. Le t’ia lëmë këtë ditë të sotme dashurisë, e cila triumfon mbi të gjitha problemet dhe ndasitë e tjera politike” u shpreh ministrja Kumbaro.

Ndërsa ky ishte urimi i ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli: “Uroj që Shqipëria jonë të ketë më shumë punë, më shumë siguri, më pak pabarazi dhe hendeku mes nesh dhe botës së zhvilluar të zvogëlohet gjithmonë e më shumë.”

Ndërkohë, urimi i kreut të opozitës dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në Facebook, është si më poshtë: “Të dashur besimtarë të krishterë, zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra! Gëzuar Pashkët, këtë kremtim të ringjalljes të mbushur me shpresën dhe besimin se e nesërmja do të jetë më e mirë se e sotmja. Në këtë festë të mrekullisë hyjnore, ju uroj nga zemra mbarësi dhe mirësi për gjithsecilin prej jush dhe familjet tuaja. Nga mot Gëzuar!”.

“Në këtë ditë kremtimi të ringjalljes hyjnore dua t’i uroj të gjithë shqiptarëve anembanë botës, mirësi e mbarësi sjelltë e ardhmja në familjet tuaja. Dua të uroj priftërinjtë dhe arkipeshkët që i shërbejnë Kishës katolike e ortodokse. Dua të uroj më shumë bashkim, shpresë, besim dhe lumturi për të gjithë. Bëj thirrjë për më shumë përgjegjshmëri e dhembshuri, solidaritet mes nesh”, u shpreh Basha pas daljes nga kisha.

 

Top Channel