Roma siguron vendin e 2-të, fitojnë Milan dhe Inter

20/04/2014 00:00

Juventus vazhdon të jetë i pathyeshëm në fushën e tij. Këtë radhë, ajo që doli e thyer nga “Juventus Stadium” ishte Bolonja, ndaj së cilës “Zonja e Vjetër” fitoi me rezultatin e ngushtë 1-0, duke bërë edhe një hap tjetër të rëndësishëm drejt titullit në Serinë A.

Bolonja rezistoi deri në minutën e 65-të, kur Pogba, me një gjuajtje nga jashtë zone, arriti të shënojë golin e vetëm të takimit. Pas këtij goli, Juventus i shtoi sulmet për të shënuar të dytin, por në fund të takimit rezultati mbeti 1-0, i mjaftueshëm për bardhezinjtë për të marrë 3 pikët e radhës.

Fitore mori edhe Roma, që mposhti Fiorentinën në “Artemio Franchi” minimalisht 0-1, duke blinduar vendin e dytë. Romës i mjaftuan 45 minutat e para për të marrë fitoren e radhës në kampionatin italian dhe, ai që vendosi fatin e sfidës, ishte Nainggolan që shënoi golin e fitores për skuadrën e tij, pas një pasimi të saktë të Adem Ljajic.

Fiorentina, me këtë disfatë, humbi mundësinë për t’iu afruar Napolit, ndërkohë që rrezikohet nga pas edhe nga Inter, që është vetëm 2 pikë më pak. Milan dhe Inter shënojnë suksese të tjera në kampionatin italian. Skuadra kuqezi mundi në “San Siro” Livornon me rezultatin 3-0, duke marrë fitoren e pestë radhazi në kampionat, e duke u ngjitur në vendin e gjashtë me 51 pikë.

Balotelli zhbllokon rezultatin në fundin e pjesës së parë. Në 45 minutat e dyta, sulmuesi italian u bë sërish protagonist për kuqezinjtë: në minutën e 51 gjen Taarabt, i cili dyfishoi shifrat për Milanin. Në fundin e takimit, Pazzini vulosi fitoren në 3-0 për Milanin, ku sërish Balotelli dha asistin.

Interi mundi Parmën në “Tardini” me rezultatin 2-0, duke marrë 3 pikë shumë të rëndësishme, që i rrisin shanset për të qenë në zonën e Europa League, sezonin e ardhshëm. Cassano shpërdoroi rastin më të mirë për Parmën, kur humbi një 11-metërsh që u prit nga Handanovic. Rolando ishte autori i golit të parë, ndërkohë që, në minutat e fundit të takimit, zikaltrit sigluan përfundimisht fitoren me Guarin, pas një gjuajtje të fortë nga jashtë zone.

Top Channel