Papa uron besimtarët nga Vatikani

20/04/2014 00:00

Me dhjetëra-mijëra vetë mbushën sheshin e Shën Pjetrit në Romë për meshën e Pashkëve të kremtuar nga Papa Françesk. Dita më e shenjtë e kalendarit të krishterë e vendosi Papën argjentinas përpara turmës gjigande të romanëve, pelegrinëve e turistëve të mbërritur nga çdo cep i botës për të mos humbur këtë moment kaq të veçantë.

Një stuhi me reshje të forta shiu u përplas mbi kryeqytetin italian mbrëmjen e së shtunës, kur gjëmimet e rrufeve konkuronin me tingujt kishtare që mbushën bazilikën e Shën Pjetrit gjatë shërbesës së drejtuar nga Ati i Shenjtë. Por, mëngjesi i sotëm solli qiell të kaltër e rritje të temperaturave në Romë për Pashkët, kulminacionin e javës së shenjtë dhe ditën që shënon besimin e ringjalljes së Krishtit pas vdekjes në kryq.

Nga ballkoni i bazilikës, Bergoglio përcolli një mesazh që nuk u kufizua siç e do tradita tek vuajtjet në vendet e trazuara siç është Siria apo së fundmi Ukraina, por iu referua “çdo situate njerëzore” të shënjuar nga brishtësia në pohimin se lajmi i mirë nuk është vetëm një fjalë, por një dëshmi e dashurisë pa kushte. Lutja e tij ishte për të gjithë popujt e botës.
“Ngushëlloji o Zot ata që sot nuk e festojnë dot Pashkën me njerëzit e dashur. Ngushëllo ata që kanë lënë tokat e tyre për të emigruar në vende ku shpresojnë të gjejnë një të ardhme më të mirë, që duan ta jetojnë jetën me dinjitet, që kërkojnë lirinë e besimit të tyre. Të lutemi o Jezus lavdiplotë, bëj që të pushojë çdo luftë, çdo armiqësi e madhe apo e vogël, e hershme apo e vonë”, tha Papa Françesk.  
Java e ardhshme do të jetë tepër e ngjeshur për Papën. Në 27 prill ai kanonizon Gjon Palin II, njeriu që drejtoi Kishën Katolike nga vitit 1978 deri në 2005-n e që do të kujtohet gjithmonë si një prej drejtuesve më karizmatikë e të dashur të saj.

Të njëjtën gjë, Françesku do të bëjë edhe për Papen Gjoni i 23-të i periudhës së viteve 1958-1963, nismëtari i Këshillit të dytë të Vatikanit, takimi që modernizoi Kishën.

Pashkët sakaq janë kremtuar në pjesë të ndryshme të Botës. Duka dhe Dukesha e Kembrixhit, Princi Uilliam dhe bashkëshortja Kejt ishin në Sidnei të Australisë ku prania e tyre tërhoqi plot kureshtarë. Shërbesa u kremtua në katedralen Saint Andreës, në qendër të qytetit. Me kërkesë të çiftit, kamerat nuk u lejuan brenda saj.

Besimtarët ndezën qirinj në Kishën e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem e ndoqën procesionin e klerikëve teksa i drejtohej altarit. Historia e grave që mbërritën në këtë varr për ta gjetur bosh e rrugës takuan Jezuin të gjallë, është mishërimi i jetës dhe dashurisë, episodi që ndryshoi përgjithmonë jetët e tyre, por edhe jetët e të gjithë njerëzve të tjerë që dëgjuan lajmin e mrekullisë.

Miliona vetë festojnë sot nëpër botë Pashkët katolike dhe ato ortodokse sepse kështu përkuan sivjet kalendarët e Kishës së Perëndimit e asaj të Lindjes. Përveç datës, kremtimet e tyre kanë dhe një tjetër të përbashkët: mesazhin kryesor të festës që është shpresa.

Top Channel