Shkëmbim zjarri në Ukrainën Lindore

20/04/2014 00:00

Rusia u shpreh e indinjuar nga një shkëmbim zjarri vdekjeprurës në Ukrainën lindore, episod ky qe shkeli armëpushimin e vendosur me rastin e Pashkëve.

Hollësitë e ngjarjes nuk janë të qarta. Zyrtarët pohojnë se të shtënat në një pikë kontrolli të drejtuar nga separatistët pro-rusë kanë shkaktuar vdekjen e të paktën një personi.

Disa njoftime flasin për pesë të vrarë, duke përfshirë edhe separatistë. Moska e cilësoi incidentin një provokim nga ana e luftëtarëve, e tha se sulmi provon “mungesën e dëshirës së autoriteteve në Kiev për të frenuar dhe çarmatosur nacionalistët dhe ekstremistët”.

Kremlini i kërkoi Kievit të vendosë nën kontroll ekstremistët e armatosur. Megjithatë, një grup ukrainasish, i fajësuar për sulmin, mohoi çdo përfshirje dhe tha se pas incidentit qëndrojnë forcat speciale ruse.

Sulmi ndodhi pranë qytetit Slavyansk, i cili është nën kontrollin e militantëve mbështetës të Moskës.

Top Channel