Subvencionet e bujqësisë

20/04/2014 00:00

Ndryshe nga vitet e tjera, fermerët do të përfitojnë nga mbështetja e qeverisë për bujqësinë pasi të kenë dorëzuar prodhimin final në pikat e grumbullimit.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Suela Popa sqaron se procesi do të jetë i njëjtë për prodhimet bujqësore, blegtorale dhe skemës më të re mbështetëse, asaj të prodhimeve të detit.

‘Fermerët që kanë mbjellë fruta dhe perime në momentin që i dorëzojnë tek pikat e grumbullimit dhe pajisen me autofaturë e dorëzojnë tek drejtoritë e bujqësisë në bazë të së cilës financohen deri në 15 për qind të vlerës së faturës. Skema e blegtorisë, subvencionohen litrat e qumështit të dorëzuar në pikat e grumbullimit, baxhot, dhe skema e re akuakultura, subvencion për midhjet e dërguara në pikat e grumbullimit të midhjes’, tha Suela Popa, Drejtoresha e AZHBR.

Për të shmangur abuzimet, zonja Popa thotë se do të ketë verifikime në terren, për të cilat parashikohen dhe penalitete.

‘Pavarësisht se kemi të bëjmë me skema të orientuara drejt prodhimit, një nga elementet e kontrollit është sipërfaqja e mbjellë e fermerit që dorëzon prodhimet tek pika e grumbullimit, blegtori që dorëzon qumështin në baxho duhet të jetë e lidhur me tufën blegtorale që zotëron, për rrjedhojë shmangia deri në 10% konsiderohet projekt i suksesshëm, 10 deri në 20% ka penalitete, mbi 20% aplikanti skualifikohet’, shtoi Popa

Shuma që do të shkojë për mbështetjen e projekteve për fermerët këtë vit është 15 milionë dollarë, duke e rritur buxhetin me 70% ne krahasim me një vit me pare.

Top Channel