PD: Droga, në krye të axhendës

21/04/0201 00:00

“Dua t’ua bëjmë të qartë sërish nga kjo sallë: nuk tërhiqemi për asnjë arsye dhe me asnjë çmim nga kërkesa për transparencë në Kuvend. Kjo e trafikut të lëndëve narkotike është për ne, për qytetarët, për vendin, për demokracinë një çështje jetike që ka të bëjë me kapjen ose jo të qeverisjes nga krimi i organizuar”.

Me këtë qëndrim kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha rikonfirmoi se për opozitën zbardhja e dyshimeve, nëse infrastruktura ushtarake është përdorur apo jo për trafik droge, do të vazhdojë të jetë në krye të axhendës opozitare.

“Ky nuk është një problem që e krijuam ne. Ky problem ka lindur nga informacionet zyrtare që posedojmë ne dhe qeveria. Ujkun nuk e krijuam ne. Ne kemi dhënë alarmin dhe nuk ndalemi derisa të qartësohet i madh e i vogël për të vërtetën. Kundërshtarët tanë lodhen kot me propagandën e tyre të dalë boje sikur ne po dëmtojnë imazhin e Forcave të Armatosura. Nuk po vëmë njolla, por po luftojmë të heqim njollat që sipas informacioneve që kemi, të dyja palët kanë lënë aty trafikantët e lëndëve narkotike”, deklaroi Basha.

Opozita nuk e vlerësoi si serioze nismën e socialistëve për ngritjen e një komisioni hetimor dhe ende nuk është e qartë nëse demokratët do të jenë apo jo pjesë e këtij komisioni. Tani për tani, opozita pret përgjigje në Parlament nga ministrja e Mbrojtjes dhe kryeministri për qëndrimin e mbajtur ndaj informacioneve për trafikim të lëndëve narkotike duke shfrytëzuar asetet e ushtrisë.

“Pyetja i drejtohet kryeministrit gjithashtu, që qëndron prapa kësaj afere, herë si regjisori i heshtjes, herë si regjisori i dëshirës për ta shndërruar atë në komedi, herë si regjisori i zhurmimit të saj, një metodë e njohur për të shmangur vëmendjen nga skandali, duke e trajtuar opinionin publik gjindje të pashkollë”, tha Basha.

“Një përgjigje, më të gabuarën në këtë moment, e ka dhënë me komisionin hetimor që ka paralajmëruar të ngrejë. Duan të hetojnë pse e tha ai që e pa, pse nuk mbyllën sytë specialistët dhe punonjësit e ndërgjegjshëm të shërbimeve të brendshme në ushtri apo në Policinë e Shtetit. Pra, pse e panë. Duan t’u japin një mësim, mësimin e heshtjes këtyre punonjësve dhe përmes tyre edhe drejtësisë. Ky është një qëndrim që mund ta mbajë vetëm dikush që ka mizën nën kësulë, dikush që është pjesë e kësaj afere”, theksoi ai.

Me paralajmërimin se opozita nuk do të heshtë për këtë çështje derisa ajo të zbardhet, kreu i demokratëve ngriti shqetësimin e asaj që e quajti revansh antidemokratik të mazhorancës me futjen në axhendën parlamentare të ligjeve që uzurpojnë insitucionet e pavarura dhe presidentin, si dhe cënojnë integrimin europian të vendit.

“Ky revansh po zhbën vetë themelin e republikës parlamentare, duke dashur ta zëvendësojë atë me republikën e oligarkisë Rama-Meta. Ky është një moment shumë i rrezikshëm për fatin e demokracisë në vend. Ne jemi në këmbë e do të jemi në këmbë. “Shqipëria në protestë” është gati të bëhet “Shqipëria në revoltë” kundër kërcënimit të demokracisë nga oligarkia Rama-Meta”, shtoi Basha.

Top Channel