Në qershor zgjedhjet presidenciale

21/04/2014 00:00

Kryetari i Parlamentit të Sirisë ka njoftuar të hënën se vendi do të mbajë zgjedhje presidenciale më 3 qershorin e ardhshëm. Mohammed al Laham deklaroi se kandidatët mund të regjistrohen duke filluar nga e marta.

Presidenti aktual Bashar al Assad pritet të kërkojë një mandat të tretë 7-vjeçar, pavarësisht kryengritjeve kundër tij, që vlerësohet të kenë lënë 150 mijë të vdekur dhe 9 milionë të zhvendosur nga shtëpitë.

Fuqitë botërore që mbështesin opozitën kanë denoncuar planet për zgjedhjet një “parodi e demokracisë”. Në një sesion të posaçëm në Asamblenë e Popullit në Damask, kryetari i Parlamentit deklaroi se sirianët që jetojnë jashtë shtetit do të mund të votojnë përmes ambasadave më 28 maj.

Ndërsa ata që jetojnë në vend do të mund të hedhin votën e tyre nga ora 09:00 deri në 19:00 të 3 qershorit. Zoti Laham nuk tha se si qeveria ka planifikuar organizimin e zgjedhjeve në zonat e kontestuara, apo në ato të tjera që kontrollohen nga opozita.

Ai gjithashtu nuk përmendi se si do të bëhet për miliona njerëzit që kanë braktisur shtëpitë e tyre në tre vitet e fundit, që jetojnë ose në vendet fqinje ose në vende ku ambasadat siriane janë mbyllur që prej vitit 2011, kur nisën dhe kryengritjet.

Njoftimi për zgjedhjet erdhi vetëm disa orë pasi disa mortaja shpërthyen rreth 100 kilometra larg selisë së Parlamentit në qendër të Damaskut, duke vrarë 5 persona, sipas televizionit shtetëror sirian.

Presidenti Assad, që pasoi të atin Hafez në vitin 2000 dhe që u rizgjodh në 2007 duke marrë 98 për qind të votave në një referendum, ende nuk e ka shprehur publikisht synimin e tij për të garuar. Por askush nuk ka dyshime që ai do kërkojë mandatin e tretë.

Top Channel