Gjiganti japonez, super-ashensor në Guangzhou

21/04/2014 00:00

Sa e sa herë na ka ndodhur të futemi në një ashensor dhe të jemi gjendur në një situatë ankthi, për kohën që duket sikur nuk kalon fare, brenda një hapësire prej vetëm pak metrash katrorë, me dikë të panjohur me të cilin nuk di as çfarë t’i thuash? Po sikur pallati të kishte qenë një qiellgërvishtëse (grataçelë) prej mbi 500 metrash?

Falë Hitachi-t, kjo gjendje nuk do të jetë më problematike. Kolosi i inxhinierisë së lartë japoneze ka projektuar ashensorin më të shpejtë në botë, të aftë të ngjitet nga poshtë-lart, apo të zbresë nga lart-poshtë, me rreth 72 km në orë. Bëhet fjalë për një shpejtësi të tillë, sa të përshkosh rreth 95 kate banimi në vetëm 43 sekonda.

Rekordi i ri do të tejkalojë atë të vendosur nga një ashensor i montuar në një qiellgërvishtëse në Taivan, të aftë të operojë me 1,010 metra në minutë (60km/h).

Inxhinierët e konglomeratit japonez kanë siguruar këto rezultate falë akordimit të një motori të ri të fuqishëm dhe të kabllove të posaçëm, 30% më të lehtë se sa kabllot tradicionalë.

Përveç kësaj, ashensori do të përdorë dyfishin e pajisjeve normale për kontrollin e dridhjeve për të siguruar qendrueshmëri. Modeli i parë do të instalohet në një ndërtesë tepër të lartë financiare prej 111 katesh dhe 530 metrash lartësi, dhe duhet të kompletohet brenda vitit 2016 në Guangzhou të Kinës.

Hitachi ka nisur të prodhojë ashensorë në vitin 1968, me një model të shpejtësisë prej 300 metrash në minutë (18 km/h), që është instaluar në një ndërtesë në qendër të Tokios.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel