Nga Kuvendi i Kosovës duhen të paktën 80 vota pro që të mundësohet krijimi i Gjykatës Speciale, që do të hetojë krimet e supozuara të luftës nga UÇK-ja.

Megjithatë, deri në zhvillimin e votimit, që po kërkohet me ngulm nga ndërkombëtarët, tek partitë kryesore që formojnë Kuvendin ka ende dilema. Së pari, në PDK, që aktualisht drejton edhe qeverinë e vendit, nuk ka ende një qëndrim unik për këtë çështje, raportojnë mediat kosovare.

Shefi i grupit parlamentar Adem Grabovci ka deklaruar të hënën se gjykata përbën një padrejtësi për Kosovën, por nga ana tjetër nuk e ka përjashtuar opsionin e votimit pro krijimit të saj.

“Ne nuk kemi lejuar asnjëherë që proceset të kthehen prapa. Miratimi në Këshillin e Sigurimit për krijimin e kësaj gjykate është kthim prapa dhe ne nuk guxojmë ta lejojmë këtë. Por unë e them, vendimi ynë duhet të jetë në përputhje me interesat e vendit”, ka deklaruar Grabovci.

Ndërkohë, dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duket se janë pro themelimit të gjykatës, por me disa kushte.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se, një Gjykatë Speciale që punon me ligjet e Kosovës do ta ketë mbështetjen e partisë së tij. “Për tribunalin nuk kam një qëndrim, ndërsa për një dhomë të posaçme që mund të krijohet nga Parlamenti i Kosovës e përkrahim”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se kjo gjykatë do të merret me raste individuale dhe nuk gjykon luftën e UÇK-së. “Formimi i kësaj gjykatë nuk është kundër UÇK-së. Kjo gjykatë do të merret me individët dhe jo me luftën e drejtë të UÇK-së”, ka thënë Beqiri.

Miratimi i gjykatës pritet të marrë votat edhe të partive politike nga radhët e komuniteteve pakicë. Kundër duket vetëm subjekti i tretë opozitar, Vetëvendosje, e cila e konsideron votimin të dëmshëm për Kosovën.

“Po kërkohet nga deputetët të votohet për diçka që nuk e dinë se çfarë është. Pra, po kërkohet vota për një institucion që do të merret me hetimin e disa aludimeve absolutisht të papranueshme që kanë dalë nga raporti i një senatori të Këshillit të Evropës”, ka deklaruar deputeti Visar Ymeri.

Top Channel