Sipas një sondazhi të realizuar nga insituti ‘Pavel Shatev’ në Shkup, zgjedhjet parlamentare në Maqedoni do t’i fitojë partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Ky institut, që është i afërt me partinë maqedonase në pushtet, parashikon që ky subjekt në zgjedhjet e së dielës do të fitojë 62 mandate deputetësh, kurse LSDM-ja opozitare 32.

Në bllokun politik shqiptar, sondazhi parashikon që BDI të fitojë 16 mandate, ndërsa PDSH-ja nëntë. Ndërkohë, fushata elektorale ka hyrë në javën e fundit. Politikanët po vijojnë takimet me qytetarët për të kërkuar mbështetjen e tyre në zgjedhje.

“Misioni ynë është për të çuar proceset më përpara, që të bëjmë ndryshime për një të nesërme më të mirë. Dhe gjithmonë duhen bërë krahasime, ku kemi qenë para një dekade dhe ku jemi sot pas një dekade. Ndryshimet më bëjnë krenar mua dhe çdo shqiptar”, ka thënë Ali Ahmeti në takimin e radhës.

“Para katër ditëve, Gruevski tha se ‘punët e mira për shqiptarët i kam bërë unë’. Ato punë janë shumë të pakëta. Më pas doli Ali Ahmeti dhe tha ‘i kemi bërë bashkë me Gruevskin’. Po punët e këqija a i keni bërë bashkë? Cilët janë punët e këqija, që nga përçmimi i kulturës, fesë, gjuhës e deri te mungesa totale e investimeve tek shqiptarët”, ka thënë nga ana tjetër kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Nga ana tjetër, të hënën, kreu i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski, të cilin e akuzon se ka marrë 1,5 milion euro kesh nga shitja “Bankës Maqedonase” disa vite më parë.

Zaev ka kërcënuar se do të publikojë detaje të tjera nga kjo aferë korruptive e kryeministrit Gruevski nëse ky i fundit nuk jep dorëheqjen. Por Gruevski ka thënë se afera kundër tij është fabrikuar nga LSDM-ja opozitare për shkak të frikës nga humbja e thellë që e pret këtë parti në zgjedhjet e 27 prillit.

Top Channel