Shqip: Gratë e dhunuara të Kosovës

21/04/2014 00:00

Gratë e dhunuara të Kosovës, viktima të barbarisë serbe gjatë luftës së viteve 1998-99, ka qenë çështja e puntatës së radhës të emisionit “Shqip” në Top Channel.

Përfaqësuese të shoqërisë civile, të Parlamentit të Kosovës dhe medias kanë folur për këtë tragjedi të harruar, si dhe për padrejtësinë që po i bëhet Kosovës me imponimin e Gjykatës Speciale, që do të hetojë krimet e supozuara të UÇK-së.

Rugova: UNMIK shkatërroi dëshmitë e dhunimeve

Aktivistja e shoqërisë civile, Igbale Rugova në fjalën e saj ka treguar për segmentin kohor kur janë verifikuar shumica e dhunimeve, si dhe ka shprehur kritikat e saj ndaj medias për mënyrën e trajtimit të kësaj tragjedie.

“Gjatë depërtimit kanë ndodhur krimet më të mëdha. Mijëra gra dhe vajza janë ndaluar rrugës për në Kukës dhe janë përdhunuar nga serbët. Këto gra e vajza nuk e ndjejnë sot lirinë e Kosovës”, ka treguar Rugova.

“Pas luftës aktivistet janë angazhuar, por media nuk ka qenë e ndjeshme. Ajo ka qenë më tepër në kërkim të sensacionit Nuk mund ta harroj një të përditshme që atëherë mbante titullin “Fëmijët e Turpit”, për gratë që ishin dhunuar. Për shkak të sensacionit, gazeta ka treguar edhe gjurmët e djegies së cigareve në gjoksin e një femre”, ka vijuar aktivistja.

Por sipas saj, një krim i rëndë është kryer edhe nga administrata ndërkombëtare në Kosovë, që dëshmitë e mbledhura nga shoqatat për gratë e dhunuara i ka shkatërruar, me qëllim mbrojtjen e shtetit serb.

“Shërbimet sekrete serbe kanë ndikuar shumë pas luftës. Dëshmi të grave të dhunuara të mbledhura nga shoqatat iu dorëzuan UNMIK-ut dhe UNMIK-u i shkatërroi që të mos dënohej Serbia”, ka vijuar rrëfimin e saj Rugova.

Por ajo thekson se lufta për drejtësi nuk ka mbaruar me kaq dhe shton se në planet e saj është lufta për të paditur UNMIKU-n në një gjykatë alternative.

“Ne kemi dalë disa herë publikisht, sepse këto gra meritojnë mbrojtjen ligjore dhe dinjitetin. Ne kemi në plan të ngremë një gjykatë dhe do të padisim UNMIK-un sepse ka bërë krim, ka shkatërruar dëshmitë. Kjo është një gjykatë alternative, por me këto dëshmi e padi do hapet rruga për gjykatën e drejtë”, ka saktësuar Rugova, e cila më tej ka prekur edhe çështjen e Gjykatës Speciale.

“Qeveria në Kosovë bën atë që i thotë bashkësia ndërkombëtare. Ky është gabimi i qeverisë. Ajo duhet të thotë: ju nuk guxoni”, ka shtuar aktivistja e njohur.

Kadriaj: Gjykata, padrejtësia e radhës ndaj Kosovës

Ndërsa Time Kadriaj, anëtare e Kuvendit të Kosovës, e cila ka ndjekur çështjen e grave të dhunuara gjatë luftës, ka treguar se si ushtria serbe shkeli rregullat e luftës dhe sot e kësaj dite nuk është gjykuar për krimet e saj.

“Ka ndodhur ajo që janë thyer rregullat e luftës nga policia dhe ushtria serbe, të cilat në pamundësi për të shkatërruar UÇK-në kanë dëmtuar atë që është më e shenjtë për shqiptarët: familja”, ka treguar Kadriaj.

Sipas saj, Kosova sot po përballet me padrejtësinë e dytë, që është Gjykata Speciale që do të hetojë krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot Kosova po përballet me një padrejtësi të madhe: Gjykata Speciale që do të hetojë krimet e UÇK-së. Kjo është shumë e padrejtë pasi po barazohet viktima me njerëzit që kanë kryer dhunë, kanë vrarë, kanë masakruar dhe dhunuar. Kjo është padrejtësia e radhës që bota po i bën Kosovës”, ka theksuar Kadriaj.

Rushiti: Mbledhja e dëshmive, e vështirë

Feride Rushiti, një tjetër përfaqësuese e shoqërisë civile, e ka vënë theksin tek vështirësia që aktivistet kanë pasur në mbledhjen e dëshmive të grave të dhunuara.

“Shumica e grave të dhunuara nuk flasin sepse u vjen turp. Është cënuar nderi i familjes dhe në këtë mënyrë ajo dhimbje është përcjellë me heshtje. Kemi arritur të mbledhim disa nga dëshmitë e grave, por nuk është e lehtë”, ka thënë Rushiti.

Ajo më pas ka treguar historinë e një vajze të re që u detyrua të ndërmerrte eksodin me fëmijën 3-javësh dhe që u bë objekt i torturave dhe dhunimeve, që i kanë lënë plagë edhe sot, kur kanë kaluar 15 vjet nga konflikti.

Osmani: Reportazhi, torturë psikologjike

Ndërsa gazetarja e Top Channel, Valdete Osmani, autore e një reportazhi mbi gratë e dhunuara gjatë luftës, i transmetuar në programin “Exclusive”, ka treguar për vështirësitë e hasura në realizimin e tij.

“Na u desh rreth 1 vit për të bindur gratë të flisnin. I bindëm se zërat e tyre nuk do të identifikoheshin. Kjo, pasi në raste të tjera identiteti i tyre është keqpërdorur. Pasi i intervistova viktimat mësova shumë histori të trishtueshme. Vetëm t’i intervistoja ishte një torturë psikologjike”, ka treguar Osmani.

Osmani ka folur gjithashtu për rastin e sipërpërmendur të prishjes së dëshmive të grave të dhunuara, duke e bërë të pamundur hetimin e rasteve në ditët e sotme.

“Po të mos ishin prishur dëshmitë nga UNMIK, EULEX mund të kishte marrë ato dëshmi dhe të vazhdonte hetimet. Por tani që ato nuk ekzistojnë, kjo është një çështje e pamundur”, ka thënë Osmani.

Në nisje të pjesës së dytë, Time Kadrijaj, nënkryetare e Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Kosovës i bëri thirrje të gjitha grave të dhunuara të luftës që të marrin kurajon dhe të denoncojnë vuajtjet e tyre në mënyrë që të përfitojnë dëmshpërblimin që u takon. Ajo tha se është e nevojshme ngritja e një Komisioni profesional që të ruajë konfidencialitetin e të dhënave të viktimave.

“Gratë të mos turpërohen dhe të denoncojnë atë që u ka ndodhur dhe të përfitojnë dëmshpërblimin që u takon. Është e rëndësishme që të ngrihet një Komision”, tha zonja Kadrijaj.

Aktivistja e shoqërisë civile, Feride Rushiti shtoi: E rëndësishme  është që Komisioni të jetë profesional dhe të ruajë konfidencialitetin e të dhënave personale të grave, të ruhen dhe të kërkohet dëmshpërblimi, por edhe vënia e autorëve përpara drejtësisë.

Pjesës së dytë panelit iu bashkua Veprore Shehu po nga shoqëria civile. “Është i rëndësishëm angazhimi i shoqërisë civile dhe anëtarë të shoqërisë civile dhe anëtarë të saj që janë të dhunuar”, tha ajo duke sjellë një shembull se sa e vështirë është nisja e hetimeve për këto raste, kur kanë kaluar kaq vite.

Zonja Shehu u ndal tek rasti i një gruaje nga Dukagjini e cila kishte marrë guximin dhe kishte denoncuar rastin e saj tek EULEX. Por ky i fundit nuk kishte pranuar dëshminë duke i vënë si kusht që të gjendeshin edhe dy raste të tjera nga i njëjti vend i ngjarjes për të nisur hetimet.

Të ftuarat kritikuan qeverinë se në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk ka përfshirë këtë cështje sa të ndjeshme aq e dhe të dhimbshme, për të vënë para drejtësisë autorët e saj. 

Top Channel