SHBA: Kimikat toksik në Siri

22/04/2014 00:00

Jen Psaki, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit ka bërë të ditur se SHBA-të kanë të dhënë për përdorim të armëve kimike gjatë muajit prill në Siri.

Armët kimike dyshohen të jenë përdorur në një fshat, i cili është nën kontrollin e rebelëve. Nga sulmi janë prekur dhjetëra persona, ndërsa 2 kanë humbur jetën. “Ne kemi të dhëna të përdorimit të një kimikati toksik industrial, ndoshta të klorit”, tha Psaki.

Përdorimi i klorit si një armë lufte është i ndaluar nga Konventa e vitit 1925, e cila është nënshkruar edhe nga Siria. Disa zyrtarë amerikanë dhe diplomatë perëndimorë deklarojnë se SHBA-të besojnë se regjimi i Asad është përgjegjës për sulmin.

Në rast se sulmi do të vërtetohet atëherë do të ishte një goditje ndaj marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia dhe miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, e cila shmangi një sulm ushtarak të mundshëm të Shteteve të Bashkuara kundër regjimit të Asad.

Në Mars, Siria dorëzoi në OPCW një propozim të rishikuar për asgjësimin e armëve të saj kimike, që kishte si afat fundin e muajit Prill. Afati i ripërcaktuar në propozim erdhi pas raportimit të muajit Shkurt nga OPCW se Siria kishte nxjerrë nga vendi vetëm 11% të stokut të armëve të saj për asgjësim, duke dështuar për ta përmbushur këtë zotim brenda afatit të parë të vendosur më 5 Shkurt.

Ndërkohë pak ditë më parë Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike bëri të ditur se Siria ka shkatërruar shumicën e materialeve të saj të armëve kimike.

Perëndimi kritikon Sirinë për zgjedhjet
SHBA, BE dhe OKB: Një parodi demokratike

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar planin e Sirisë për të mbajtur zgjedhjet presidenciale në 2 qershor, duke e cilësuar atë një “parodi demokratike”.

“Lajmi për mbajtjen e një referendumi de-fakto tingëllon shumë i shtirur, në një kohë kur regjimi vazhdon të masakrojë çdo elektorat që duhet ta përfaqësojë”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki.

Edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon dënoi planin e Damaskut zyrtar, duke thënë se ai mund të cënojë përpjekjet për të arritur një marrëveshjeje, për t’i dhënë fund konfliktit 3-vjeçar që ka marrë mbi 150 mijë jetë.

Zoti Ban paralajmëroi se një proces i tillë do të dëmtonte procesin politik dhe do të dënonte prespektivën për një zgjidhje politike, raporton BBC në edicionin online.

Kritikave u është bashkuar edhe Bashkimi Evropian, që është shprehur në unison me Shtetet e Bashkuara, përsa i përket konsiderimit të zgjedhjeve një “parodi demokratike”.

Qeveria siriane së fundmi miratoi një ligj elektoral që parashikon se kandidatët në zgjedhje duhet të kenë jetuar në Siri në 10 vitet e fundit.

Ndërkohë, procesi ka pak gjasa që të shtrihet edhe në zonat e kontrolluara nga opozita, shumë liderë të të cilës kanë braktisur vendin dhe për rrjedhojë u ndalohet pjesëmarrja.

Aktivisti opozitar Ahmad Alqusair akuzoi Assad për mbajtje të zgjedhjeve mbi gjakun e popullit sirian dhe tha se në to do të votojnë vetëm mbështetësit e presidentit.

“Kur na ndalohet edhe të hamë bukë, si mund të shkojmë të votojmë”, tha ai për agjencinë e lajmeve “Associated Press”. 

Top Channel