Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi i është përgjigjur
homologut në ikje të Serbisë, Ivan Mërkiç, i cili kishte deklaruar më
herët se Vatikani nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe
sovran.

Por në një prononcim për gazetën “Epoka e Re”, Selimi ka thënë se Kosova ka marrëdhënie shumë të mira me Selinë e Shenjtë.

“Ivan Mërkiç është një ministër në ikje dhe nuk e shoh të rëndësishme të merremi me deklarata të zyrtarëve në pension e sipër të shteteve fqinje. Kosova, si populli ashtu edhe shteti, kanë marrëdhënie të mira me Selinë e Shenjtë dhe e falënderojmë Atin e Shenjtë për kujdesin”, është shprehur ai.

Selimi ia ka rikujtuar Serbisë dhe kryediplomatit të saj se Vatikani dikur është drejtuar nga shqiptarët. “Kurrë nuk duhet të harrojmë se dy shqiptarë ishin bërë Papë dhe pavarësisht konsideratave politike momentale, duhet të kujtojmë se lidhja jonë me Vatikanin shkon përtej njohjes formale. Edhe ajo do të vijë si rezultat i konsolidimit të gjithë Ballkanit, por Selia e Shenjtë e ka ritmin e vet të vendimmarrjes”, ka deklaruar Selimi.

Numri dy i diplomacisë kosovare ka shtuar se, deri në fillim të qershorit Republika e Kosovës do t’i afrohet njohjes së 110 të saj. Ai ka vlerësuar se, pavarësisht se Kosova është në vit elektoral, zgjedhjet nuk do të kenë ndikim në axhendën e MPJ-së.

Top Channel