Subvencioni i prodhimit bujqësor

22/04/2014 00:00

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi prezantoi para fermerëve, skemën e re
të mbështetjes për bujqësinë që parashikon subvencionimin e tyre, bazuar
në prodhimin final.

“Buxheti për vitin 2014 ka akorduar 71 për qind më shumë fonde, krahasuar me vitin e kaluar. Pra, plot 1.66 miliardë lekë në tërësi për këtë vit. Ky fond i fuqizuar rrit mundësitë e financimit për skemat e mbështetjes, veçanërisht përsa i përket ndërtimit të një infrastrukture moderne bujqësore, infrastruktura shumë e dobët e grumbullimit dhe përpunimit në vendin tonë, jo vetëm që ndikon drejtpërsëdrejti në sigurinë e ushqimit, por eliminon vlerën e shtuar për prodhimet bujqësore. Zhvillimi i deritanishëm i blegtorisë, jo vetëm që nuk ka nxitur zhvillimin e produkteve lokale, por ka vënë në rrezik të vazhdueshëm edhe shëndetin e qytetarëve me therje dhe shpërndarje të lëna në iniciativën edhe në mundësitë e pakta të fermerit”, tha Peleshi.

Për ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti, skemat e reja do të shërbejnë mbi të gjitha për zgjidhjen e një prej problemeve më të mëdha të bujqësisë shqiptare, siç eshte informaliteti.

“Këtu kemi rastin dhe mundësinë e vetme për ta identifikuar dhe regjistruar prodhuesin, duke e shndërruar bujqësinë shqiptare nga 90 për qind informale, që është sot në në tërësisht formale. Për këtë arsye mbështetja dhe pagesat tona direkte për fermerët janë të orientuara në një masë të madhe drejt rimbursimit të çmimit të prodhimit që prodhohen dhe dorëzohen në pikat e autorizuara të grumbullimit dhe përpunimit të produkteve”, tha Panariti.
   
Pas dorëzimit të prodhimeve në pikat e grumbullimit, fermerët do të pajisen me autofaturë, për të përfituar më pas 15 për qind të shumës së saj.

Top Channel