AMF: Nuk ka draft zyrtar për sigurimet motorike

22/04/2014 00:00

Pas kritikave publike nga ekspertët e sigurisë rrugore, mbi një
projektligj të ri për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve, Autoriteti i
Mbikëqyrjes Financiare deklaron se nuk ka një draft zyrtar.

“Akoma nuk ka një draft. Pra, është një material i përgatitur nga ana e grupit të punës të krijuar, në AMF, Komisioni ende nuk ka kaluar në strukturat e AMF-së, në bordin e saj. Eshtë tërësisht ndryshe nga ajo cfarë ne dëgjojmë të diskutohet rreth këtij draftligji. Unë kam përshtypjen ajo cfarë diskutohet është vetëm mbi propozimet e shoqatës”, thotë Mati Pepa, nënkryetar i AMF-së.

Ekspertë të sigurimeve kanë deklaruar së fundmi në publik, se drafti që po përgatitet, nuk i mbron interesat e konsumatorëve. Por AMF thotë se kjo nuk mund të ndodhë.

“Të jeni të sigurt, që AMF-ja në asnjë rast, nuk do të kalojë në Qeveri ndonjë ligj që cënon sadopak interesat e konsumatorëve dhe nuk është në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian. Për çdo nen, për çdo nen ka edhe direktivën përkatëse të BE-së, e cila ka synimin kryesor mbrojtjen e interesave të konsumatorit. Ky ligj bëhet për konsumatorët”, tha Pepa.

Aktualisht në Parlament janë duke u diskutuar disa ligje njëherësh që kanë të bëjnë me AMF, të rekomanduara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si pjesë e paketës së masave për të ulur rreziqet financiare dhe ringritur ekonominë.  

Top Channel