Gorillat rrezikohen nga viruset humane

22/04/2014 00:00

Ata janë primatët më të mëdhenj të botës dhe ende nën rrezikun konstant të gjuetisë së paligjshme, shpyllëzimit dhe sëmundjeve njerëzore, gjë që nënkupton se shumë shpejt gorillat e maleve më të thepisura të botës janë drejt eliminimit.

Duke jetuar në pyjet më të dendura të Afrikës Qendrore – në vargmalet Virunga mes Ruandës, Ugandës dhe RD të Kongos, si dhe në parkun kombëtar të padepërtueshëm Buindi në Ugandë – gorilat e rrezikuara së tepërmi përballen me një të ardhme të paqartë. Janë vetëm 880 gorilla malesh të mbetura në botë, sipas të dhënave të censusit të fundit.

Me misionin për të mbrojtur primatët nga zhdukja është ngarkuar Gladys Kalema-Zikusoka, një shkencëtare nga Uganda dhe avokat për ruajtjen e specieve të rrezikuara në Buindi, një vend i Trashëgimisë Botërore dhe strehë e gjysmës së popullsisë së gorillave të maleve.

Një prej ruajtësve kryesorë të Afrikës, Kalema-Zikusoka, ka punuar pa u lodhur për më shumë se 2 dekada për të krijuar mjedisin e duhur, ku gorillat dhe njerëzit të bashkëjetojnë pa u rrezikuar në një zonë të vetme, ku densiteti i popullsisë njerëzore rurale është ndoshta më i larti në kontinent.

A mund të preken nga i ftohti gorillat? Kur Kalema-Zikusoka nisi punën në Buindi në 1994, turizmi i gorillave ishte në hapat e para të saj dhe po bëhej një nga burimet më të forta financiare për ekonominë lokale.

Ndërkohë që gorillat e maleve kanë thuajse 98% të materialeve gjenetike si të njeriut, Kalema-Zikusoka vendosi të analizonte se si mund të ndikojë ndërveprimi në rritje me njerëzit te këta primatë.

“Kam studiuar se çfarë ndikimesh ka turizmi për gorillat, si në aspektin pozitiv dhe atë negativ, – tha ajo. – Dhe, sigurisht kam kuptuar se si komunitetet kanë përfituar jashtë mase, sepse janë shumë të varfër dhe turizmi i gorillave po i ndihmon ata të dalin nga mjerimi”, shtoi Kalema Zikusoka.

“Kërkimet e mia në atë moment u fokusuan te parazitët që mund të marrin gorillat dhe zbulova se, aktualisht, gorillat e vizituar prej turistëve kanë një ngarkesë parazitësh më të madhe se sa ato që s’janë vizituar. Ndaj dhe ne mund t’i transferojmë lehtësisht sëmundjet atyre, gjë që është diçka e keqe”.

Top Channel