Cila parti shqiptare do të bëhet pjesë e qeverisë së re? Në këtë çështje janë përqendruar liderët e dy subjekteve më të mëdha të shqiptarëve, BDI dhe PDSH, në ditët e fundit të fushatës.

Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, në disa tubime elektorale ka thënë se partia e tij do të përfaqësojë shqiptarët në qeverinë e ardhshme, pasi – sipas Thaçit, – pjesëmarrja e deritanishme e BDI-së në ekzekutiv vetëm sa ka dëmtuar interesat kombëtare.

“Është e palejueshme që këta, të cilët mezi e fituan mandatin e popullit, fituan Mercedesa dhe miliona euro, tashmë e përdorin pushtetin kundër popullit të tyre. Këtij pushteti duhet t’i këputet koka më 27 Prill. Unë iu siguroj, se ne do të jemi ata që do të fitojmë dhe ne do t’i nisim negociatat për qeverinë e ardhshme”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Por, lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë se janë shqiptarët, dhe jo partitë, ata që do të vendosin se kush do të bëhet pjesë e ekzekutivit. Sipas Ahmetit, qeveria e re do të formohet nga subjektet politike, që fitojnë më shumë vota tek elektorati maqedonas dhe ai shqiptar.

“Qeveri pa shqiptarët është shumë e vërtet që nuk ka. Nuk ka qeveri pa fitimtarë te shqiptarët dhe maqedonasit. Kjo është e vërtet. Qeveria ndërtohet prej palëve fitimtare, edhe te shqiptarët, edhe te maqedonasit. U provua një eksperiment i tillë në vitin 2006, kur humbësi te shqiptarët u fut në ekzekutiv, por për 15 muaj dështoi ajo qeveri”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Nga ana tjetër, kryeministri Nikola Gruevski po kërkon mbështetjen e maqedonasve, që partia e tij të fitojë shumicën e mandateve në Kuvend, për t’i shmangur – siç ka thënë Gruevski, – kushtëzimet e partisë shqiptare BDI, gjatë formimit të qeverisë së ardhshme.

Top Channel