“Kerr”, adoleshentët e “çmendur”

22/04/2014 00:00

Nëse keni parë në rrugët e Tiranës disa të rinj që bëjnë gjëra të pazakonta duke i filmuar, mos u çudisni. Gjithçka është një spektakël argëtues.

Lahen në shatërvan me shampo, u vënë flakën atleteve gjatë vrapimit, peshkojnë pranë Lanës apo ironizojnë skenën e tortës së pavarësisë.

Këta janë “Kerr Shoë”, grupi i “çmendurive” që nuk ndalet përpara asgjëje. Mjafton të kërkosh në YouTube me emrin e tyre dhe do të shfaqen videot që nuk kanë asgjë të përbashket me fjalën normale.

Gjithçka filloi një vit më parë nga faqja e Facebook-ut, që në fillim përdorej vetëm për të futur foto dhe statuse argëtuese. Djemtë donin të bënin diçka më shumë, kështu që nisën të xhironin video amatore në rrugët e kryeqytetit duke i ngarkuar më pas në rrjet.

Rrethi u zgjerua me persona të aftë për të bërë çdo gjë të mundshme. Pas publikimit, videot vlerësoheshin maksimalisht, gjë që i motivoi anëtarët e grupit të guxonin të paimagjinueshmen. Sot, online numërohen 9 video me mbi 20.000 klikime dhe mbi 55.000 fansa në faqen në Facebook.

Videot e tyre janë një risi në Shqipëri, por ajo që i bashkon këta djem nuk janë thjesht çmenduritë, por  dëshira për të thyer tabu, mposhtur frikëra apo për të bërë diçka ndryshe. Formati është i njohur gjithashtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku njihet si “Jackass”, ndërsa në Europë praktikohet nga francezi Remi Gaillard, i cili në mars të 2012-s është klasifikuar nga YouTube si një nga 17 komedianët më të klikuar në ueb.

“Ne e bëjmë për kënaqësinë tonë në radhë të parë. Ne e dimë që me këto lloj gjërash këtu në Shqipëri nuk ke të ardhme. E dimë që duhet të përqendrohemi tek shkolla”, thanë djemtë në studion e “Pasdite në Top Channel”.

Top Channel