Arkitektët që bëhen aktorë për të ndihmuar azilin e pleqve

22/04/2014 00:00

Kur të rinjtë bëhen bashkë, asgjë nuk është e pamundur. Me dëshirën për të ndihmuar njerëzit në nevojë, disa studentë të Arkitekturës u bënë përkohësisht aktorë edhe pse nuk kishin luajtur më parë asnjë rol.

Ata realizuan një film me metrazh të shkurtër që flet për sfidat dhe vështirësitë e studentëve për të shlyer në kohë detyrimet akademike. Gjithçka u bë nga vetë arkitektët e ardhshëm: skenari, xhirimet, montazhi apo rolet kryesore.

Filmi u shfaq në Akademinë e Arteve më 12 dhe 13 prill, së bashku me pjesën teatrale të vënë në skenë, po nga vetë të rinjtë. Spektakli u quajt “Jo se kam Studio”, sipas emrit të lëndës së “Studios” në Arkitekturë.

Për dy ditë rresht, salla e Akademisë u mbush plot duke habitur dhe vetë organizatorët, të cilët nuk e prisnin një sukses të tillë. Të ardhurat nga shitjet e biletave, të rinjtë  menduan t’i përdorin për një qëllim fisnik, në ndihmë të kategorive që janë në vështirësi.

Për këtë arsye, Anduena dhe Figalia shkuan në shtëpinë e të moshuarve të Tiranës në emër të të gjithë grupit për të dorëzuar shumën simbolike të mbledhur prej një milion lekësh të vjetra.

Edhe pse janë të ndërgjegjshme se këto para’ nuk janë ndonjë shifër e madhe, disa nevoja jetike mund të lehtësohen disi. Ky nuk është viti i parë që ata dhurojnë shuma parash për njerëzit në nevojë. Shfaqja teatrale e zhvilluar në vitin 2013 bëri të mundur që paratë e siguruara nga biletat të shkonin për insfrastrukturën e Shtëpisë së Fëmijës.

Idealistë, të rinj dhe energjikë. Veprimi i tyre të bën të besosh se paçka profesionit apo mundësive, të gjithë mund të bëjnë diçka të vogël për të ndryshuar gjërat që nuk na pëlqejnë. Sfida filloi. Studentët e Arkitekturës e dhanë shembullin e tyre.
 

Top Channel