Ukrainë, vritet politikani. SHBA, gati 600 trupa

22/04/2014 00:00

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës ka bërë thirrje për rinisjen e operacionit anti-terrorist në Lindje të vendit, ditën e martë, pasi trupi i një politikani lokal nga partia e tij është gjetur me shenja torture.

Oleksander Turchynov tha në një deklaratë se trupa “të torturuar brutalisht” janë gjetur pranë qytetit të Slaviansk-ut, që mbahet ende nën kontrollin e militantëve pro-rusë. Një prej tyre ishte i Volodymyr Rybak, një anëtar i partisë “Batkivshchyna” të presidentit Turchynov, i cili ishte rrëmbyer së fundi nga “terroristët” dhe që raportohet i vdekur nga “Reuters”.

“Këto krime po kryhen me mbështetjen e plotë dhe me favorizimin e Federatës Ruse, – tha ai. – Bëj thirrje ndaj agjencive të sigurisë të rinisin dhe të ndërmarrin masa efektive anti-terrorizmi, me synimin për të mbrojtur qytetarët ukrainas, që jetojnë në Ukrainën Lindore, nga terroristët”.

Vetëm pak momente më parë, një avion luftarak i ushtrisë ukrainase është goditur nga disa të shtëna me armë, teksa ishte në një fluturim zbulimi mbi qytetin lindor të Slaviansk-ut, i cili gjendet ende nën kontrollin e separatistëve pro-rusë.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes përmes një deklarate, ku thuhej se “disa plumba kanë goditur avionin gjurmues ‘Antonov An-30 Turboprop’, por është bërë e mundur ulja e sigurt e tij”.

Këto janë zhvillimet e fundit që po ndodhin në Ukrainën Lindore, pavarësisht vizitës së zv/presidentit amerikan Joe Biden në vendin e trazuar që prej rrëzimit të presidentit pro-rus Viktor Yanukovych dhe aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë.

SHBA, gati 600 trupa ushtarakë në Europën Lindore

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë rreth 600 trupa amerikanë në Poloni dhe në 3 shtetet Baltike për të marrë pjesë në stërvitjet ushtarake të ditëve të ardhshme, për të siguruar aleatët e NATO-s pas aneksimit të rajonit të Krimesë nga ana e Rusisë, bëri të ditur Pentagoni ditën e martë.

Nën-Admiral John Kirby, një zëdhënës i lartë i Departamentit të Mbrojtjes, tha se ushtrimet e përbashkëta të planifikuara për Poloninë, Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë, ishin si pjesë shtesë e stërvitjeve të rregullta, që ushtria amerikane ka me këto vende, të cilat u shtuan për shkak të ngjarjeve në Ukrainë.

“Shtetet e Bashkuara i marrin seriozisht detyrimet tona bazuar mbi Artikullin 5 të aleancës së NATO-s, edhe pse këto nuk janë stërvitje të NATO-s”, tha Kirby. “Është një përfaqësim vërtet i prekshëm i angazhimeve tona për detyrimet tona në lidhje me sigurinë në Europë”.

Biden paralajmëron Rusinë me izolim

Është koha, që Rusia t’i lërë fjalët e të nisë nga veprat, për të përmbushur angazhimet e marra në Gjenevë, lidhur me zgjidhjen e krizës ukrainase.

Me të tilla pohime dhe thirrjet për largimin e trupave ruse nga kufiri me vendin fqinj, zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden e bëri të qartë se Uashingtoni po e humbet durimin, dhe se provokimet e mëtejshme nga ana e Rusisë do të sjellin izolimin akoma më të thellë të saj, si dhe sanksione të reja edhe më të ashpra.

Sa për aneksimin e Krimesë, Amerika – sipas numrit dy të administratës, – nuk ka për ta njohur kurrë.

“Asnjë komb nuk ka të drejtë të rrëmbejë tokën e tjetrit. Një të drejtë të tillë nuk e gëzon asnjë vend. Pushtimin e paligjshëm të Krimesë, ne dhe e gjithë bota s’kemi për ta njohur asnjëherë. Rusia duhet t’i lërë fjalët e të kalojë në veprime, për angazhimet që ka marrë: t’i bindë separatistët të braktisin ndërtesat e pushtuara e të lënë postoblloqet; të pranojnë amnistinë e t’i zgjidhin në rrugë politike pakënaqësitë e veta. Moska duhet të bëjë hapur thirrje për lirimin e ndërtesave të marra nën kontroll, e kjo nuk është edhe aq e vështirë”, është shprehur Joe Biden.

Në Kiev, ku ndodhet për një vizitë dy ditore, Biden rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën e theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do ta lënë atë “të ecë e vetme në rrugën e saj”. Ndihmat e premtuara si fillim janë 50 milionë dollarë shtesë për qeverinë e vendit, përfshirë 11 milionët që do të shërbejnë për financimin e zgjedhjeve presidenciale të 25 Majit.

Kievi dhe Moska, sakaq, po shkëmbejnë akuza të ndërsjellta për prishjen e armëpushimit të Pashkës me shkëmbimzjarrin në një postobllok të qytetit pro-rus Slavyansk, ku gjetën vdekjen tri vetë.

Polemika kanë shkaktuar edhe fotografitë e nxjerra nga Departamenti i Shtetit, ku – sipas zyrtarëve amerikanë – duken forcat speciale ruse në Ukrainën lindore. Fotot janë siguruar nga diplomatë ukrainas. Rusia, deri më tani, e ka mohuar të ketë ushtarë në territorin e shtetit fqinj.

Top Channel