“Kontroll parlamentar SHISH-it”

22/04/2014 00:00

Visho Ajazi Lika tashmë me çertifikatë sigurie të rifreskuar, ka mbërritur në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare tejet korrekt me orarin, por nuk ka gjetur asnjë prej anëtarëve të Komisionit.

30 minuta më pas ai është rikthyer për t’u përballur për më shumë se 4 orë e 30 minuta  me një mori pyetjesh që lidheshin me raportin vjetor të Shërbimit Informativ Shtetëror për vitin 2013.

Debatet kanë qenë të shumta mes deputetëve të mazhorancës dhe kreut të Shërbimit për cështje që lidhen me informacionet e dhëna nga Shërbimi për shpërthimet me tritol. Mësohet se kreu SHISH të ketë deklaruar se “ngjarjet me shpërthimet me tritol në muajin janar e kanë gjetur shërbimin të papërgatitur”.

Deputetët e mazhorancës nuk janë mjaftuar me deklarimet e Visho Ajazi Likës dhe për këtë do t’i hapim dritën jeshile një kontrolli parlamentar në SHISH. “Dua të konfirmoj se nesër Komisioni do të shqyrtojë dhe vendosë për kontrollin parlamentar të SHISH nga një grup deputetesh që do të caktojë Komisioni”, kështu i deklaroi Top-Channel kryetari Komisionit Parlamentar të Sigurisë Spartak Braho.

Klima e tensionuar brënda komisionit është reflektuar në deklaratën e sekretarit të këtij komisioni, Pirro Luto.

“Gjatë raportimit të tij dhe debateve në Komision dolën edhe problemet që ne vazhdojmë t’i qëndrojmë se në Shërbim jo gjithcka shkon mirë”, deklaroi Pirro Luto, Sekretar i Komisionit të Sigurisë.

Nënkryetari Komisionit deputeti demokrat Flamur Noka shkoi përtej cdo pritshmërie të gazetarëve kur dha detaje nga ajo cfarë Visho Ajazi Lika ka deklaruar përpara Komisionit në mbledhjen me dyer të mbyllura.

“Ky raportim sot në mënyrë të detajuar dhe me shifra nxorri të palarat dhe gënjeshtrat e Ministrit të Brendshëm. Ajo që është më e rëndësishmja është që sot Ministri i Brendshëm doli gënjeshtar në lidhje me akuzat që ka hedhur ndaj Shërbimit, që Shërbimi sipas tij, nuk e paska informuar. Informacionet për tritolin dhe për gjithcka i ka dhënë të bollshme. Janë 317 informacione të dhëna vetëm për këtë periudhë 4- mujore, rreth 30 e ca për periudhën e mëparëshme të detajuara për grupet që merren me trafikun e tritoli, për grupe kriminale që merren me trafikun e minave”, tha nënkryetari i Komisionit, Flamur Noka.

I kontakruar me telefon nga Top-Channel krytari këtij komisioni Spartak Braho pohoi se “lidhur me raportimin e drejtorit të SHISH dua të nënvizoj faktin që ishte një raportim i domosdoshëm dhe i planifikuar nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare që preku tërë aktivitetin dhe problematikën e këtij organi që lidhet me sigurinë kombëtare, ndaj dhe për vetë rëndësinë dhe karakterin sekret dhe detyrimit ligjor të këtij raportimi, u vendos që ky të jetë me dyer të mbyllura dhe pa informacion për cështjet e diskutuara”.

Top-Channel e pyeti zotin Braho si i komentonte ai deklaratat e nënkryetarit Flamur Noka i cili i pohoi medias disa detaje të cilat në vetvete konsiderohen sekret.

“Prononcimi spekulativ dhe shpifës i në media, jo vetëm nuk është etik dhe serioz, por dhe në shkelje të ligjit për sekretin shtetëror dhe të vendimit të Komisionit. Për këtë shkelje të rëndë deputeti Flamur Noka, do të mbajë përgjegjësi në organet ligjzbatuese menjëherë”, u përgjigj Spartak Braho.

Top Channel