BE: Më shumë kohë marrëveshjes

22/04/2014 00:00

Bashkimi Europian ka pezulluar momentalisht vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, për veprimet e saj në Ukrainë, deri sa të shohë funksionimin në terren të marrëveshjes së arritur në Gjenevë javën e kaluar, bënë të ditur diplomatët europianë të martën.

Ministrat e Jashtëm të BE-së u dakordësuan më 14 Prill që të shtonin sanksionet duke zgjeruar listën e tyre prej 33 vetash, të cilëve u janë ngrirë llogaritë bankare dhe u është ndaluar fluturimi drejt vendeve të BE-së, për shkak të rolit të tyre në pushtimin dhe aneksimin e Krimesë nga Moska, një ish-territor ukrainas deri në muajin Shkurt.

Megjithatë, deri më tani, pavarësisht se zyrtarët europianë kanë përcaktuar edhe emrat e rinj që do të shtohen në listë, ata ende nuk kanë marrë ndonjë vendim.

Diplomatët europianë thanë se arsyeja e mosmarrjes së vendimit ka të bëjë me dëshirën e bllokut për t’i lejuar më shumë kohë marrëveshjes së arritur në Gjenevë, që të bëhet funksionale.

Për të njëjtën arsye, BE nuk ka shkuar më tej as sa i përket sanksioneve më strikte tregtare dhe financiare ndaj Rusisë, për ta ndëshkuar atë pas aneksimit të Krimesë dhe pas asaj që zyrtarët e Perëndimit e quajnë destabilizim të pjesës lindore të Ukrainës.

“Ende mendojmë t’i japim pak më shumë kohë marrëveshjes së Gjenevës”, tha një diplomat. Michael Mann, një zëdhënës i shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, tha se procesi i hartimit të emrave për t’u shtuar në listën e sanksioneve është në vijim e sipër.

“Sigurisht, thelbi i këtij diskutimi është se, ajo çfarë ndodh në lidhje me sanksionet është në varësi të asaj që po ndodh dhe do të ndodhë në terren, në Ukrainë”, tha ai për reporterët.

Zyrtarët e BE-së nuk bënë të ditur se për sa kohë do të presin vënien në zbatim të marrëveshjes së Gjenevës, përpara se sanksionet e reja të rikthehen në tryezën e diskutimeve.

Qeveria amerikane deklaroi të hënën se do të vendoste “brenda pak ditësh” mbi sanksionet e reja, nëse Rusia nuk ndërmerrte hapat e nevojshme për të implementuar marrëveshjen e Gjenevës.

Top Channel