Naço: Të reformohet edhe Prokuroria

22/04/2014 00:00

“Prokuroria është pasive në hetime, ka raste kur prokurorët nuk e apelojnë vendimin në gjykatën më të lartë, edhe për ato raste kur janë liruar persona me rrezikshmëri të lartë.”

Këto janë disa nga konkluzionet e inspektimit 1-vjeçar ndaj 23 prokurorëve në rrethe dhe në apel. Sipas ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, i cili raportoi përpara Komisionit të Ligjeve për nëntë kontrolle të cilat kanë gjetur me shkelje 19 prokurorë.

Por, vetëm në një rast, sipas ministrit Naço, ka reaguar edhe Prokurori i Përgjithshëm: “Prokurori i Përgjithshëm ka reaguar vetëm për rekomandimin e bërë për kontrollin e ushtruar në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Berat, duke na bërë me dije se inspektimi i kryer nga ana e Ministrisë së Drejtësisë është në kapërcim të kompetencave që jep neni 56 i ligjit 8737 datë 12/02/2001.”

Ministri Naço deklaroi se duhet reformuar edhe Këshilli i Prokurorisë: “Forcimi i kompetencave dhe transparenca e Këshillit të Prokurorisë në raport me emërimin, promovimin, transferimin, procedimin disiplinor si dhe riorganizimin e brendshëm të organit të hetimit do i shërbejë më së miri rritjes së efektivitetit të institucionit të Prokurorisë. Por, duhet një ridimensionim i kompetencave të Këshillit të Prokurorisë që ai të mos mbetet vetëm një organ konsultativ, por edhe vendimmarrës.”

Sipas ministrit të Drejtësisë, vetëm nga portali “stop korrupsionit” janë denoncuar 15 raste korrupsioni të gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë dërguar për hetim Prokurorisë. Ministri përmendi rekomandimet e qeverisë për politikë më të butë për veprat penale me dënime nën 5 vjet heqje lirie. Një frazë kjo që u prit me replikë e ironi nga deputetët e djathtë.

“A ja keni treguar adresën e portalit ministrit të Brendshëm?”, pyeti Ristani.

Ndërsa Eduart Halimi tha: “Në letrën e ministrit të Brendshëm drejtuar Presidentit, për 65 gjyqtarë, shumica e të cilëve kanë dhënë masë arrest në shtëpi për nenin 278/3 që parashikon dënime nga 1 deri në 5 vite. Tani, pyetja ime është: rekomandimet tuaja janë në emrin e Ministrisë dhe ministri i Brendshëm nuk di gjë?”

“Ju siguroj që disa persona nuk do flenë gjumë të qetë pas letrës”, tha Naço.
 
Të mërkurën, në Komisionin e Ligjeve do të jetë edhe Prokurori i Përgjithshëm Adritatik Llalla.

Top Channel