Abbas: Izraeli të mbajë përgjegjësi ndaj nesh

22/04/2014 00:00

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, u tha një grupi gazetarësh nga Izraeli, të martën, se nëse bisedimet e paqes nuk do të vazhdojnë, Izraeli do të duhet të duhet të marrë barrën e qeverisjes së tokave palestineze.

Edhe pse Abbas ka paralajmëruar vazhdimisht se do të dorëzojë disa prej fuqive të limituara që ushtron Autoritetit Palestinez i drejtuar prej tij në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, deklarata e tij përbën një urgjencë për përpjekjet e SHBA-ve për të shtyrë më tej negociatat, të cilat priten të skadojnë javën e ardhshme.

“Nëse negociatat do të ndalen, është qeveria izraelite që do të mbajë barrën e përgjegjësisë për situatën ekonomike dhe për dhënien e pagave nëpunësve, punëtorëve dhe fermerëve, për shëndetësinë dhe edukimin, pikërisht siç kanë bërë edhe përpara se të merrte pushtetin Autoriteti”, tha ai për reporterët, që vizituan selinë presidenciale të tij në Ramallah.

“Gjithashtu, Izraeli do të marrë përgjegjësinë për sigurinë, duke i shtuar shumë përgjegjësitë ndaj vetes. Shpresojmë që të mos vijnë këto kohë, por që të arrijmë së shpejti marrëveshjen”, tha ai.

Negociatorë izraelitë, palestinezë dhe amerikanë u takuan për një tjetër raund bisedimesh të martën, por burime nga të dyja palët e përçara thanë se ka ende mosmarrëveshje të forta.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, rigjallëroi bisedimet për paqe në Korrik, pas afro 3 vjetësh ngecje, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit prej disa dekadash, si dhe krijimin e shtetit palestinez përkrah atij izraelit.

Palestinezët kërkojnë që shteti i tyre të shtrihet në Gaza, në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Jeruzalemin lindor, toka këto të pushtuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967.

Marrëveshja e përkohshme e Oslos, e nënshkruar nga të dyja palët në vitin 1993, krijoi Autoritetin Palestinez për të qeverisur zonat palestineze deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, gjë që deri më tani ka rezultuar e parealizueshme.

Top Channel