Kur kapitenët i bëjnë bisht standardit fisnik

22/04/2014 00:00

Kur anija britanike “HMS Birkenhead” nisi të fundosej Shkurtin e vitit 1852, pranë brigjeve të Afrikës së Jugut, kapiteni dhe oficerët ushtarakë në bord lejuan gratë dhe fëmijët të merrnin të parët varkat e shpëtimit.

Bashkë me shumë ushtarë, kapiteni qëndroi në anijen që gëlltitej nga uji, ndërsa gratë dhe të miturit arritën të shpëtonin të gjithë. Ky gjest suprem vetëflijimi ishte ai, që vendosi standardin fisnik të braktisjes së mjetit në fund, nga ana e ekuipazhit.

Përgjatë dekadash të tëra, pati plot raste të tjera guximi, të cilët vendosnin pa ngurimin më të vogël pasagjerët në plan të parë, siç ishte kapiteni Edward J. Smith, që nuk pranoi të largohej nga Titaniku, por u mbyt bashkë me të.

Në ditët tona, të tillë shembuj vetëmohimi mungojnë. Dy katastrofa të mëdha detare të kohëve të fundit e dëshmojnë fare qartë një gjë të tillë.

Kapiteni i “Sewol”-it, Lee Joon-seok, nxitoi të largohej nga trageti, kur me qindra pasagjerë ishin akoma në bord, një veprim ky i ngjashëm me atë të Francesco Schettinos, drejtuesi i “Costas Concordias”, njeriu që me pakujdesinë e vet e çoi drejt shkëmbinjve nënujorë pranë brigjeve italiane në 2012-n, e që u largua i pari prej anijes së mbushur me ujë.

32 vetë humbën jetën në atë rast; 113 janë të vdekurit në Korenë e Jugut, e mbi 190 të zhdukurit.

Ekspertët sqarojnë se detyrimi kryesor i kapitenit të një anijeje është siguria e ekuipazhit dhe pasagjerëve të saj. Këtë e dikton edhe Konventa Ndërkombëtare Detare, e cila nuk detyron megjithatë kapitenin të qëndrojë në bord përgjatë gjithë krizës.

“Nuk po themi, që duhet të vdesë patjetër me anijen”, shtojnë ekspertët. “Por, për jetët e personave në bord ka një përgjegjësi, të cilës nuk mund t’i bëjë bisht”.

Braktisjen e anijes disa vende, ku përfshihen dhe Italia e Koreja e Jugut, e konsiderojnë krim dhe, ashtu si Schettino, edhe Lee do të përballet me akuza të rënda për rolin e tij në fatkeqësinë e së mërkurës, ndër të cilat përfshihen neglizhenca, dëmtimi i personit dhe mosparaqitja e kërkesës për ndihmë nga një anije tjetër.

Top Channel