Komisioni i Veprimtarive Prodhuese miratoi ndryshimet në ligjin për legalizimin e objekteve informale që synon përmbylljen përfundimtare të këtij procesi.

Deputetët e opozitës votuan kundër duke deklaruar se ndryshimet e reja nuk adresojnë problematikën reale të ndërtimeve pa leje në vend. Por kryetari i Komisionit, Eduard Shalësi tha se ky qëndrim tregon se deputetët e ish-mazhorancës, sot në opozitë nuk kanë asnjë reflektim lidhur me atë që e cilësoi dështim të qeverisjes Berisha.

Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese: Edhe dje, por edhe sot nuk kemi konstatuar asnjë lloj pendese apo falje përpara shqiptarëve për një proces të dështuar kokë e këmbë. Pra jo vetëm që pas 8 vjetësh nuk kanë asnjë lloj reflektimi, por vazhdojnë të tallen me shqiptarët.

Sherefedin Shehu, deputet i PD-së: Heq 30 përqind të ardhurat e ish-pronarëve që s’kanë qenë. Heq cmimin që u jep garanci qytetarëve dhe që është në ligj. Pra nuk ka kufij të caktuar. Ndryshon raportet e sipërfaqjes, ligji i sotëm thotë deri në 500 metër. Pra më shumë është prishur se sa është ndrequr.

Drejtori i Agjencisë së Legalizimeve, Artan Lame tha se në proces legalizimi nuk do të përfshihen objektet që janë ndërtuar pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kodin Penal që e cilësojnë ndërtimin pa leje vepër penale me përjashtim të rasteve kur ndërtimi është kryer në tokën e vetë zotëruesit të ndërtimit pa leje.

“Të gjithë objektet, pavarësisht nga pronësia e truallit të bëra deri në 2009-n, përfshihen në legalizim. Pas 2009-s, në momentin që zënia e truallit, pronë shtet, apo pronë e të tretëve është vepër penale, nuk mund të përfshihet më në legalizim”, deklaroi Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t.

Duke iu referuar numrit të madh të objekteve të palegalizuara, zoti Lame tha se ndërtesa e ALUIZNI-t është një prej tyre.

“Ne aq jemi të kujdesshëm me këtë, sa që një nga objektet e para që është futur në listë për t’u legalizuar është godina e ALUIZNI-t, e cila është ndërtuar pa leje në kohën tuaj. Unë kam hapur dosje për atë objekt sepse është e gjitha pa leje”, tha Lame.

Top Channel