Rrëmbeu fëmijën, fillon gjyqi për kuksianin

23/04/2014 00:00

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë nisi gjyqi ndaj Begzim Isës,
nga Kukësi, i akuzuar për “trafik fëmijësh”, mbetur në tentativë dhe
“armëmbajtje pa leje”

Sipas prokurorisë, Begzim Isa, nga fshati Orgjost i Kukësit, në mars të vitit 2013, ka tentuar të rrëmbeje fëmijën 7-vjeçar të kushërinjve të tij. Ai ka qene në qendër të fshatit dhe pasi e ka pikasur, duke luajtur me fëmijët e tjerë, i është afruar fillimisht, duke e mashtruar që të shkonte me të, dhe më pas nën kërcënimin e armës e ka marrë në krahë dhe është larguar në dalje të fshatit.

Në këto momente i akuzuari është ndjekur nga vëllai i të miturit, që në atë kohë ishte 11 vjeç, i cili ka nisur të qajë dhe të kërkojë ndihmë. Në këto kushte, Begzim Isa e ka lëshuar fëmijën 7-vjeçar dhe është larguar. E njëjta skenë është përsëritur edhe një ditë më pas, çfarë ka bërë që familja e fëmijës, të kallëzoje penalisht Isën, dhe këtij të fundit t’i vihen prangat në fund të marsit 2013.

Në sallën e gjyqit, i pandehuri mohoi akuzën. Këtë qëndrim mbajti edhe avokati i tij, i cili kërkoi të mos pranohet si provë dëshmia e fëmijës 7-vjeçar, me pretendimin se është bërë pa respektimin e procedurës ligjore. Një kërkesë e tillë u rrëzua nga prokurori, i cili tha se dëshmia e të miturit është marrë në prani të psikologes dhe prindërve. Në sallë ndodheshin familjarët e të pandehurit dhe të fëmijës, që edhe pse të afërm, kanë qëndruar veçmas, për shkak të akuzave që rëndojnë mbi Begzim Isën. Ndërkohë, jashtë sallës së gjyqit, vëllai i të pandehurit deklaroi se akuzat janë sajuar dhe gjithçka ka qenë vetëm një zënkë fëmijësh. Ndërkohë, Isa u akuzua edhe për zhdukjen e Bleona Matës, por prokuroria nuk e provoi këtë akuzë.

Top Channel