Kuvendi i Kosovës ka miratuar themelimin e Gjykatës Speciale për Krimet e
Luftës dhe ka vendosur t’i vazhdojë mandatin misionit të EULEX-it edhe
për dy vjet të tjera.

Vendimi është marrë me 89 vota për, 22 kundër dhe 2 abstenime përmes miratimit të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
 
Gjatë fjalimit të tij para Kuvendit, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për themelimin e Gjykatës për krime lufte është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që i bëhet Kosovës.
 
Sidoqoftë, Thaçi ka përsëritur qëndrimin e tij të shprehur këto ditët e fundit, se pavarësisht kësaj padrejtësie, siç po e quan ai, institucionet e Kosovës duhet të themelojnë këtë gjykatë.
 
“Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar një Gjykatë Speciale, që do të trajtojë ndonjë akuzë të mundshme, e cila do të mund të rezultojë nga hetimet e Task Forcës Speciale Hetuese e themeluar nga Bashkimit Evropian, për të adresuar pretendimet e dala nga Raporti i Dick Martyt, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare”, është shprehur Thaçi.
 
Në vazhdim, kryeministri i Kosovës ka thënë, po ashtu, se UÇK-ja, pjesëtarët e së cilës mund të jenë objekti kryesor i ndjekjes nga kjo gjykatë, ka bërë luftë të drejtë dhe ka respektuar normat ndërkombëtare.
 
Në këtë seancë, Partia Demokratike e Kosovës doli edhe me propozimin që Kuvendi të marrë vendim për themelimin e një fondi përmes së cilit Qeveria e Kosovës me buxhetin e shtetit t’i mbulonte të gjitha shpenzimet e pjesëtarëve të UÇK-së gjatë proceseve gjyqësore që do të ngrihen ndaj tyre nga gjykata e veçantë.
 
Gjithashtu, me procedura të shpejtuara Kuvendi miratoi edhe ndryshimet e nevojshme ligjore për marrjen e disa përgjegjësive nga misioni i EULEX-it, i cili gjatë mandatit të ardhshëm do të ketë më pak kompetenca.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara vlerëson Kuvendin

Ambasada amerikane në Prishtinë ka mirëpritur përmes një deklarate për shtyp votimin nga Kuvendi i Kosovës pro formimit të Gjykatës Speciale.

“Votimi i sotëm i Kuvendit të Kosovës ishte një hap jetik drejt themelimit të një gjykate që mund të zgjidhë në mënyrë të besueshme pohimet serioze nga raporti i vitit 2010 i Këshillit të Evropës”, thuhet në deklaratë.

Sipas përfaqësisë amerikane, kjo gjykatë është thelbësore për të hequr akuzat nga të pafajshmit, për të dëshmuar përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe për të zgjidhur përfundimisht këto pohime shqetësuese.

“Ne vlerësojmë vendimin e atyre deputetëve të cilët vërtetuan përkushtimin e tyre për themelimin e një gjykate sipas ligjit të Kosovës, e cila do të përqëndrohet strikt tek individët dhe tek veprimet individuale”, vijon deklarata.

Në deklaratë thuhet më tej se, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur Kosovën që të vazhdojë të ecë para në “këtë detyrë thelbësore”. 

Top Channel