Rusia kërcënon Ukrainën

23/04/2014 00:00

Rusia kërcënoi se do të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë nëse cënohen interesat e saj në këtë vend. Kjo ishte ajo që la të kuptohej Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, i cili hoqi një paralele mes krizës ukrainase dhe ndërhyrjes së 2008-ës në Gjeorgji.

Në një intervistë për televizionin shtetëror rus, RT, Lavrov akuzoi Shtetet e Bashkuara si dirigjente të asaj që po ndodh në Ukrainë, të cilën e quajti “një shfaqje”.

“Është goxha domethënës fakti që Ukraina rinisi operacionin e saj anti-terror gjatë vizitës së zv.presidentit amerikan në Kiev, Joe Biden”, tha Lavrov.

“Nëse sulmohemi sigurisht që do të përgjigjemi. Nëse interesat tona, interesat tona legjitime, interesat e rusëve sulmohen drejtpërdrejtë, ashtu si në Osetinë e Jugut, ne do të përgjigjemi. Unë nuk shoh ndonjë mënyrë tjetër zgjidhjeje, përvecse përgjigjjes në përputhje me ligjet ndërkombëtare”, shtoi Lavrov pa përcaktuar se ç’kuptonte Moska me ‘shkelje të interesave të saj’ në Ukrainë.

Verën e 2008-ës Rusia ndërhyri ushtarakisht në Gjeorgji, pas vendimit të Tbilisit për të dërguar trupa në rajonin e Osetisë së Jugut për të shtypur lëvizjen separatiste të rebelëve pro-rusë.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kërcënojnë me të tjera sanksione mbi Rusinë, nëse kjo e fundit nuk ndërhyn për qetësimin e situatës në lindje të Ukrainës.

Teper i shqetësuar nga përshkallezimi i tensioneve në rajon, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry i telefonoi homologut rus Sergei Lavrov për t`i treguar se mungesa e veprimeve pozitive nga ana e Moskës mund të sjellë masa të reja ndaj saj.

Një zyrtar i lartë i Departamentit që Kerry drejton, sqaroi se në bisedën me Lavrovin, kreu i diplomacisë amerikane i kërkoi Rusisë të qetësoje retorikat e konfliktit, të angazhohet në rrugë diplomatike për çtensionimin e gjendjes në lindje të Ukrainës e të lëshojë deklarata publike për të gjithë mbështetesit e saj që mbajnë të pushtuara godinat administrative në këtë rajon. Sekretari Kerry theksoi gjithashtu edhe se mungesa e një progresi të prekshëm në implementimin e marrëveshjes së Gjenevës do të rezultojë me shtim të sanksioneve ndaj Moskës.

Ky paralajmërim i drejtpërdrejtë erdhi në kohën kur zevendespresidenti amerikan Joe Biden takohej në Kiev me udhëheqësit e rinj të Ukrainës e lëshonte apele për Rusinë që të lërë fjalët e të nisë nga veprat.

Megjithatë as përpjekjet diplomatike e as kërcënimet nuk po mjaftojnë për qetësimin e situatës në Ukrainën lindore. Kryetari i Qeverisë së përkohshme të Republikës së vetshpallur të Donjeckut deklaroi se kjo provincë dhe Luhansku, në 11 maj do të zhvillojnë referendume për shkëputjen nga Ukraina.

“Pyetja që do të shtrohet në referendum do të jetë: A e mbështesni nismën e Donjeckut për të qenë një republikë e pavarur? Dhe mundësitë e përgjigjes do të jenë dy: “Po” ose “Jo”, kaq. Referendumi do të na krijojë mundësinë të ndërtojme marrëdhënie me çdo vend tjetër, me federalizim ose jo, apo dhe thjesht të fitojmë pavarësinë”, tha Denis Pushilin, Kryeministër i Republikës Popullore të Donjeckut.

Gjetja e dy personave të vrarë me shenja të qarta torture pranë qytetit Horlivka, një nga të cilët politikan lokal i partisë së presidentit të përkohshëm ukrainas, Oleksander Turchinov e shtyu kreun e shtetit të urdhërojë rifillimin e operacioneve ushtarake në zonë.

Terroristët që mbajnë peng Donjeckun, këtë radhë shkuan shumë larg, është shprehur ai. Vladimir Rybak u zhduk pasi ishte filmuar teksa përpiqej të hynte në një ndërtesë të pushtuar nga aktivistët pro-rusë. Mbështetësit e Moskës kanë kapur një gazetar amerikan, Simon Ostrovsky dhe nuk e lejojnë të largohet. Ndërkohë 150 trupa të Shteteve të Bashkuara mbërritën në Poloni, pjesa e parë e kontigjentit prej 600 ushtarësh që Uashingtoni do të dërgojë në rajon si demonstrim force në përkrahje të aleatëve të tij të NATO-s.

Top Channel