“Sjell një libër, që ke lexuar, dhe merr një, që të pëlqen”. Është kjo, motoja e një prej aktiviteteve që ka shënuar ditën ndërkombëtare të librit në Kosovë.

Lexuesit mund të zgjidhnin në mesin e 200 librave, duke i këmbyer me një roman të lexuar.

Faruk Ahmeti, organizator dhe përgjegjës i Komisionit të Studentëve, tha se me këtë aktivitet janë munduar që adhuruesve të librit t’iu ofrojnë një mundësi, duke bërë ndërrim të librave të ndryshme, për t’i kthyer vëmendje më të madhe librit.

“Aktiviteti ynë në fjalë ka të bëjë me moton ‘Jepe një libër që ke lexuar dhe merr një që të pëlqen’, ndaj dhe shpresojmë që, me këtë aktivitet, t’ia kthejmë sado pak vëmendjen librit, në atë vend ku edhe e meriton. Po, besojmë se kemi ofruar një mori titujsh të rinj dhe ekzemplarë, që ka në numër të konsiderueshëm me mbi 200 tituj, ndaj shpresojmë që t’i ofrojmë një mundësi studentëve, që ta këmbejnë librin që disponojnë me një libër që u pëlqen. E kanë këtë mundësi dhe shpresoj që pjesëmarrja ka për të qenë në nivel të lartë, ashtu edhe siç e kemi pritur”, tha Faruk Ahmeti, organizator.

Nga studentët u vlerësua se, pavarësisht titujve të shumtë, numri i lexuesve është i vogël. Në anën tjetër, aktivitete të ndryshme për ditën ndërkombëtare të librit ka organizuar edhe Komuna e Prishtinës.

Top Channel