" /> ">

Kërkimet për “MH370”, tjetër “provë”

23/04/2014 00:00

Zyrtarët australianë kanë bërë të ditur se “një objekt i dyshimtë” që mund të ketë lidhje me avionin e humbur të “Malaysia Airlines” është gjetur, por autoritetet malajziane thanë se është ende herët për të thënë nëse është provë e vërtet drejt synimit të tyre parësor.

Shefi australian i Byrosë së Sigurisë së Transportit, Martin Dolan, e përshkroi objektin si diçka me fletë metalike me thumba, të gjetur në bregun perëndimor të Australisë.

“Është mjaftueshëm interesant për ne, për të shqyrtuar fotografitë, – tha ai. – Ne i marrim të gjitha të dhënat e mundshme seriozisht”.

Në një konferencë për shtyp, të mërkurën, ministri në detyrë i Transportit në Malajzi, Hishammuddin Hussein, tha se vendi i tij nuk ka marrë ende ndonjë foto nga Australia, dhe se deri tani të gjitha objektet e gjetura gjatë kërkimeve nuk kanë pasur të bëjnë me avionin e humbur.

Edhe australianët u shfaqën të kujdesshëm: “Sa më shumë kërkojmë, aq më pak të gëzueshëm bëhemi”, tha Dolan.

Objekti i fundit u gjet pranë Augusta-s, rreth 300 km në jug të Perth-it, bëri të ditur një burim i Forcave Mbrojtëse australiane për CNN. Ky burim shtoi se objekti kishte disa thumba në njërin krah të tij, që ngjajnë me një veshje fibrash qelqi.

I pyetur në lidhje me formën dhe madhësinë e objektit, burimi në fjalë e përshkroi atë si një lloj “drejtkëndëshi”, por i shqyer dhe i deformuar. Sipas tij, ishte shumë e vështirë të përcaktoheshin përmasat, sepse kanë parë deri tani vetëm një foto të tij dhe jo me një shkallë të pastër.

Objekti ndodhet në hetuesinë e një agjencie policie në Australinë Perëndimore. Autoritetet thanë se nuk do të japin më shumë komente mbi të, për shkak se është pjesë e një hetimi federal.

Top Channel