Turi i Obamës në Azi

23/04/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara dalin garant për sovranitetin japonez mbi ishujt në Detin e Kinës Lindore. Presidenti Obama deklaroi se sovraniteti i Japonisë mbi këtë grup ishujsh është pjesë e një marrëveshjeje të përbashkët mbrojtjeje mes Tokios dhe Uashingtonit.

Në një intervistë dhënë para nisjes së turit të vizitave në Azinë e Largët, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara do të kundërshtojnë me forcë cdo përpjekje për të minuar kontrollin japonez mbi këtë grup ishujsh.

Deklarata të ngjashme nga zyrtarët amerikanë janë dhënë edhe në të shkuarën, por kjo është hera e parë që një deklaratë e tillë kaq e drejpërdrejtë në mbështetje të Japonisë lëshohet nga presidenti Obama.

Tensionet mes Japonisë dhe Kinës janë përshkallëzuar muajt e fundit pas vendimit të Pekinit për të vendosur në zonën e kontrollit ekskluziv ishujt që ata i njohin si Diaoyu, ndërsa Japonia i njeh si Senkaku.

Kina reagoi menjëherë duke kundërshtuar deklaratën e Obama-s. Ministria e Jashtme kineze deklaroi se ishujt nuk përfshihen në marrëveshjen e mbrojtjes së përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë.

“E ashtuquajtura aleanca SHBA-Japoni është një marrëveshje dypalëshe e nënshkruar në vitet e Luftës së Ftohtë që nuk synon prekjen e interesave të Kinës, sovranitetin e saj territorial dhe të drejtat e saj të arsyeshme”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Pekin, Qin Gang.

Pekini nuk është në listën e ndalesave të Obamës gjatë turit të tij në Azi, por parashikohet që marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kinën të dominojnë bisedimet mes kreut të Shtëpisë së Bardhë dhe udhëheqësve të vendeve në Azinë Lindore.

Vizita mbërrin në një kohë tensionesh mes vetë aleatëve amerikanë, Koresë së Jugut dhe Japonisë, por edhe mes aleatëve të Uashingtonit dhe Kinës mbi sovranitetin në zona të debatuara në Detin e Kinës Lindore.

Ndalesa e parë e Presidentit amerikan është Tokio. Më 25 prill do të fluturojë drejt Seulit dhe më pas në vizitën historike në Kuala Lumpur të Malajzizë, e para e tillë e një presidenti amerikan. Më 28 prill Obama do të fluturojë drejt Filipineve etapa e fundit e turit të tij aziatik.

Top Channel