Blair: Bota, në rrezik nga ekstremizmi fetar

23/04/2014 00:00

Ish-kryeministri britanik Tony Blair ka paralajmëruar liderët perëndimorë se duhet t’i lënë mënjanë dallimet me Rusinë lidhur me Ukrainën dhe të fokusohen tek rreziku që vjen nga ekstremizmi islamik.

Blair, aktualisht i dërguar i Kuartetit për Lindjen e Mesme, u ka bërë thirrje fuqive botërore që të mbajnë të njëjtin pozicion dhe të mbështesin grupet e “mendjeve të hapura”.

Zoti Blair i ka bërë këto deklarata në Londër, në një kohë kur mes Perëndimit dhe Rusisë janë rritur tensionet për shkak të situatës në Ukrainë.

Në fjalimin e tij në Bloomberg, ish-kryeministri u ka bërë thirrje liderëve perëndimorë që të vendosin çështjen e ekstremizmit fetar në krye të axhendës së tyre.

“Çështja e ekstremizmit fetar duhet të ngrihet në majë të axhendës dhe liderët perëndimorë duhet të bashkëpunojnë me vendet e tjera, sidomos me Rusinë dhe Kinën, pavarësisht dallimeve”, ka thënë Blair.

Ai ka argumentuar se kërcënimi që vjen nga radikalizmi, “i cili manipulon mesazhin e vërtetë të Islamit”, po përhapet me shpejtësi në mbarë botën.

“Ky fenomen po destabilizon komunitetet dhe madje edhe kombet. Ai po minon mundësinë e një bashkëjetese paqësore në epokën e globalizimit”, ka thënë Blair.

“Dhe përballë këtij kërkcënimi ne çuditërisht shfaqemi ngurrues për ta pranuar dhe të pafuqishëm për ta frenuar në mënyrë efikase”, ka vijuar ai.

Ish-kryeministri u ka bërë thirrje liderëve që të shqyrtojnë “absurditetin” e shpenzimit të miliarda dollarëve për sigurinë kundër një ideologjie që sipas tij po mbrohet në shkollat dhe institutet e vendeve me të cilat Britania ka bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Disa nga këto vende sigurisht që duan të shkëputen nga kthetrat e kësaj ideologjie, por shpesh e kanë të vështirë ta bëjnë këtë brenda detyrimeve të tyre politike”, ka theksuar Blair.

“Kjo betejë mes atyre që mund t’i quajmë mendjet e hapura dhe ato të mbyllura është në zemër të kthesës që shekulli i 21-të duhet të bëjë në drejtimin e bashkekzistencës paqësore apo konfliktit mes njerëzve të kulturave të ndryshme”, ka shtuar i dërguari i OKB, SHBA, BE dhe Rusisë për Lindjen e Mesme.

Top Channel