Palestinë, marrëveshje Hamas-Fatah

23/04/2014 00:00

Grupi islamik në Rripin e Gazës, Hamas, dhe presidenti i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Mahmoud Abbas, kanë rënë dakord gjatë së mërkurës për të implementuar një pakt uniteti. Lajmin e kanë dhënë të dyja palët përmes një konference të përbashkët për shtyp.

Lëvizja e fundit parashikon formimin e një qeverie të përbashkët brenda 5 javësh, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare 6 muaj pasi të kenë fituar votëbesimin në Parlamentin e palestinezëve.

Palestinezët kanë shpresuar prej kohësh në sheshimin e grindjeve politike mes Autoritetit Palestinez dhe Hamas-it, teksa këta të fundit fituan në zgjedhjet palestineze të vitit 2006 dhe morën kontrollin e Rripit të Gazës nga forcat besnike të Abbas-it, të mbështetur edhe nga Perëndimi në vitin 2007.

Por, paktet e unitetit të ndërmjetësuara nga arabët e të nënshkruara mes të dyja palëve ende nuk ishin implementuar, duke lënë shumë palestinezë skeptikë në lidhje me angazhimet për bashkim të liderëve të tyre.

“Ky është një lajm i mirë, të cilin duam ta ndajmë me popullin tonë. Epoka e ndarjes ka marrë fund”, u tha reporterëve palestinezë kryeministri Ismail Haniyeh, i Hamas-it.

Hamas ka luftuar prej kohësh Izraelin, shtet të cilin refuzon ta njohë. Përpara shpalljes së të mërkurës, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi Abbas mbi përpjekjet e bashkimit, duke thënë se do të duhej të zgjidhte mes paqes me Izraelin, ose kundërshtarët e tyre islamik.

Partia Fatah e Abbas mbetet në kontrollin e Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor, të pushtuar nga Izraeli, dhe ka ndjekur bisedimet e trazuara për paqe me Izraelin, që priten të skadojnë më 29 Prill.

Top Channel