Turqia: Vrasja e armenëve, çnjerëzore

23/04/2014 00:00

Kryeministri turk Reccep Tayyip Erdogan ka ofruar, si një veprim i paprecedent i qeverisë së tij, ngushëllime të sinqerta ndaj nipërve apo mbesave të armenëve të vrarë gjatë Luftës së Parë Botërore nga ushtarët otomanë.

Në një deklaratë të lëshuar në prag të përvjetorit të 99-të të vdekjeve të kontestuara gjerësisht, Erdogan e përshkroi papritur atë event të 1915-s si “çnjerëzore”, duke përdorur gjuhën më pajtuese se kurrë më parë, pasi kjo çështje nuk ka qenë e njohur nga liderët turq.

Zyrtarë të qeverisë turke thanë se ishte hera e parë që një kryeministër turk ka ofruar ngushëllime të tilla të sinqerta, dhe e përshkruan deklaratën si një hap historik, por fjalët e Erdogan-it u hodhën poshtë si “të ftohta dhe cinike” nga një grup armenësh influencues me bazë në SHBA.

Natyra ekzakte dhe shkalla e asaj që ndodhi gjatë luftimeve, që nisën në 1915-n, është tepër i diskutueshëm dhe vazhdon të prekë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Armenisë, një ish-republikë sovietike.

Turqia pranon se shumë armenë u vranë në ato përplasje, por mohon se janë vrarë rreth 1,5 milionë dhe se ky veprim përbën një akt genocidi, një term i përdorur nga shumica e historianëve perëndimorë dhe parlamentet e vendeve të tyre.

Më herët gjatë Prillit, një rezolutë e komitetit të Senatit amerikan e quajti masakrën ndaj armenëve si një genocid.

Deklarata e Erdogan, – si kurrë më parë e lëshuar në 9 gjuhë të botës, përfshi edhe gjuhën armene, – ka ripërsëritur thirrjet e kaluara për dialog mes dy vendeve, si dhe ngritjen e një komisioni historik për të vërtetuar gjithçka në lidhje me vrasjet.

“Me këtë shpresë dhe besim, ne duam që armenët, të cilët humbën jetën në fillim të shekullit të 20-të, të prehen në paqe. U shprehim ngushëllimet më të sinqerta nipërve dhe mbesave të tyre”, tha ai.

“Duke qenë se kmi kaluar ngjarje, të cilat kanë sjellë pasoja çnjerëzore – siç ishte edhe zhvendosja – gjatë Luftës së Parë Botërore, nuk duhet të lejojmë që turqit dhe armenët të mos krijojnë qëndrime reciprokisht njerëzore dhe të dhimbshme mes njëri-tjetrit”.

Top Channel