Kuvendi i Kosovës miratoi të mërkurën në lexim të parë edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

Edhe për këtë çështje, me përjashtim të lëvizjes Vetëvendosje, pjesa tjetër e opozitës mbështeti propozimet e qeverisë për zgjatjen e madnatit të EULEX-it.

Projektligji mori 85 vota pro, 14 kundër dhe 4 abstenim, ndërsa pasdite pritet të miratohet edhe në lexim të dytë, pasi Komisioni për Legjislacion ta miratojë me proçedurë të përshpejtuar.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi vlerësoi se pas një dialogu njëvjeçar me BE-në është arritur konkluzioni që disa kompetenca të EULEX-it t’u kalojnë vendorëve.

Deputetët e Vetëvendosjes kritikuan ashpër vazhdimin e mandatit të misionit evropian, duke thënë se ai që nga viti 2008 ushtron në Kosovë disa kompetenca të natyrës ekzekutive, sidomos në fushën e drejtësisë, që bien ndesh me thelbin e sovranitetit të Kosovës.

Top Channel