Partia Demokratike Shqiptare ka dorëzuar në Komisionin për anti-korupsion dokumentet me të cilat gjatë ditëve të kaluara akuzoi funksionarët të BDI-së për përfshirje në afera korruptive gjatë ushtrimit të posteve zyrtare.

PDSH pret që Komisioni anti-korrupsion urgjentisht të veprojë dhe që konform ligjit të ngrejë kallëzim ndaj të gjithë funksionarëve të BDI-së që janë akuzuar se kanë keqpërdorur funksionet dhe paratë publike.

”Partia Demokratike Shqiptare gjatë javëve të kaluara me fakte dokumentoi korrupsionin dhe hajninë e BDI-së. Edhe pse ligji i detyron disa institucione, përfshirë këtu edhe Komisionin për anti-korrupsion, të veprojnë kur paraqiten fakte, për fat të keq deri tani kjo nuk ka ndodhur. Për këtë arsye u detyruam që sot t’i dorëzojë faktet dhe dokumentet që posedojmë, me të cilat faktohet zhytja në korrupsion e funksionarëve të BDI-së”, deklaroi Bekim Fazliu.

Duke komentuar këto akuza, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani tha se Partia Demokratike Shqiptare, në mungesë të ofertës konkrete për qytetarët po merret me shpifje.

“Ne në këto zgjedhje nuk kishim konkurrent të denjë. Ne dolëm me platformë me 1081 projekte, ata dolën me një varg akuzash të tipit ‘u trondit mali, polli një mi’. Kjo ndodhi sot me akuzat dhe ato 20 konferencat për shtyp që i kishte PDSH-ja, që në fakt është mungesa e idesë për të arritur tek qytetarët”, u shpreh Osmani.

PDSH-ja opozitare, gjatë kësaj fushate elektorale ka publikuar dokumente me të cilat ka akuzuar disa ministra dhe deputetë të BDI-së për përfshirje në afera korruptive. Sipas partisë së Menduh Thaçit, dëmet e këtyre aferave i ndjejnë çdo ditë qytetarët dhe bizneset shqiptare në Maqedoni.

Top Channel