Llalla: Pajisjet e përgjimit i kemi me qira

23/04/2014 00:00

Gjakmarrja, pastrimi i parave, korrupsioni, mungesa e një institucioni të posaçëm për të sëmurët mendorë që mbahen në burgje deri edhe fëmijët që lypin, por edhe ata që përfshihen në krime ishin disa nga shqetësimet kryesore të prokurorit të pergjithshem, Adriatik Llalla.

Sipas numrit një të organit të akuzës, gjatë raprtimit të tij për vitin 2013 në komisionin e ligjeve, vjedhjet zënë një hapësirë të konsiderueshme të kriminalitetit në vend. “Nga të dhënat statistikore rezulton se vjedhja përbën numrin më të madh të veprave penale”, deklaroi Llalla.

Por ndërkohë për Llallën trafiku i drogës mbetet shqetësim më vete. “Duhet rritur efikasiteti i luftës kundër trafikut të drogës. Në strategjinë e fundit të hartuar është parashikuar përfshirja e shërbimeve të inteligjencës. Ndërkohë, duhen marrë masa edhe kundër kultivimit të lëndëve narkotike në disa zona të vendit. Gjithashtu, prokuroria ka kërkuar disa mjete përgjimi që do të bënin më aktive hetimet”, tha Llalla.

Prokurori i përgjithshëm kërkoi për këtë arsye shtimin e numrit të prokurorëve dhe forcimin e kapaciteteve duke qenë se prokuroria shqiptare nuk ka si pronë të vetën as pajisjet gjurmuese e përgjuese.

“Është i nevojshëm shtimi i numrit të prokurorëve. Nga ana tjetër, sot mbajmë me qera pajisjet e përgjimit, të gjurmimit, etj. Nuk ka asgjë në pronësi të shtetit shqiptar”, theksoi Llalla.

Prokurori i përgjithshëm vlerësoi se ndryshimet e shpeshta që i bëhen Kodit Penal nuk ndikojnë në mënyrën e duhur në politikën penale dhe shtoi se, për veprën penale të kanosjes për shkak të gjakmarrjes kanë nisur hetimet edhe për disa të zgjedhur vendorë.

Top Channel