Ukrana: Militantët, provokim për invazionin rus

23/04/2014 00:00

Ukraina i bëri thirrje Rusisë, gjatë të mërkurës, për të tërhequr trupat e saj nga kufiri mes dy vendeve, duke shtuar se i frikësohet faktit që separatistët pro-rusë mund të përdorin afërsinë e tyre për të provokuar një invazion të rusëve.

“Ukraina i bën sërish thirrje Rusisë të tërheqë menjëherë njësitë sulmuese të forcave të armatosura të Rusisë nga kufiri mes dy vendeve tona”, bëri të ditur Ministria e Jashtme përmes një deklarate, duke shtuar se kjo lëvizje duhet të jetë në përputhje me detyrimet e Moskës, që ndërmori në marrëveshjen e firmosur javën e kaluar në Gjenevë, për të ulur tensionet mes dy vendeve.

“Ekziston rreziku që militantët e armatosur pro-rusë në atë rajon të Ukrainës të përdorin prezencën e trupave rusë pranë kufirit, për të provokuar hyrjen e tyre në territorin ukrainas”. Më tej shtohej se trupat ukrainase gjenden në rajonet lindore “vetëm për të mbrojtur qytetarët, pavarësisht etnisë së tyre”. Përgatitjet e tyre për luftë janë një përgjigje legjitime ndaj kërcënimeve të zyrtarëve rusë, për të përdorur forcën dhe agresionin ndaj integritetit territorial të Ukrainës.

Militantët në lindje konfirmojnë ndalimin e reporterit amerikan

Separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës kanë konfirmuar të mërkurën se kanë ndaluar një gazetar amerikan, i cili punon për Vice News.

Kryebashkiaku i vetëshpallur separatist i Slaviansk-ut u tha reporterëve se gazetari Simon Ostrovsky është ndaluar për shkak se ka raportuar, – siç tha ai, – informacione false, të cilat janë “destabilizuese për ne”, por aktualisht është duke u trajtuar mirë.

Kryebashkiaku Vyacheslav Ponomaryov u përpoq të tallej në lidhje me situatën. “Nuk ka asgjë të gabuar me Ostrovsky-n. Ai është me ne, ndihet mirë dhe ndodhet në një vend të sigurt. Nuk është pengu ynë apo një i ftuari ynë. Thjesht i kemi dhënë atij një vendstrehim”.

Vice News ka njoftuar përmes uebsajtit të tij se është në kontakte me Departamentin amerikan të Shtetit dhe autoritete të tjera qeveritare, për të punuar së bashku e për t’i ofruar siguri gazetarit të tyre.

Jen Psaki, zëdhënëse e DASH, shprehu shqetësimin e saj për pengmarrjen e gazetarit amerikan dhe dënoi marrjen e pengjeve në lindje të Ukrainës. Ajo bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij.

Britania ngre avionët, largon rusët nga Skocia

Britania ngriti për fluturim avionët luftarakë “Typhoon” për të komunikuar me avionë ushtarakë rusë, të cilët ishin duke fluturuar shumë pranë hapësirës britanike ajrore, në brigjet e Skocisë, bëri të ditur një zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Ka pasur avionë të paidentifikuar, që kanë fluturuar pranë veriut të Skocisë”, tha zëdhënësja për Reuters, duke shtuar se Forcat Ajrore të Mbretërisë i kishin identifikuar më vonë ato, si avionë rusë.

“Avionët ishin duke fluturuar në hapësirën ajrore ndërkombëtare, gjatë gjithë kohës, dhe nuk u futën aspak në hapësirën ajrore britanike”, shtoi ajo, duke vijuar më tej se ka pasur rreth 8 raste të ngjashme, apo “incidente” të tilla gjatë vitit 2013.

Mediat lokale raportuan se ishin 2 avionë rusë, që besohen të kenë qenë “Tupolev-95s”, që u kthyen mbrapsht dhe u drejtuan për nga gadishulli Skandinav, pasi u kontaktuan nga avionët britanikë.

Ekspertët e mbrojtjes thanë se Rusia përdor të tilla fluturime zbulimi, për t’i kujtuar botës mundësitë ushtarake të saj dhe për të provuar sistemet e mbrojtjes ajrore të vendeve të tjera.

Top Channel