Korrupsioni, akuza për Argita Berishën

24/04/2014 00:00

Ky ishte deklarimi tronditës me zë dhe figurë i biznesmenit Zafar Ansar dhënë Top Channel në 26 Janar 2013, i cili implikonte zyrën ligjore të Argita Berishës, vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Argita më ofroi shërbimet e saja dhe unë rashë dakord të bashkëpunoja me të. Ajo më dërgoi marrëveshjen për të siguruar pagesat e saja për shërbimet ligjore, përveç të cilave kërkonte edhe 3% si tarifë suksesi. Unë nuk e nënshkrova këtë marrëveshje, pasi e konsiderova si ryshfet.”

Zafar Ansar pas 4 vitesh rikthehet në Tiranë me dëshirën për t’i vijuar projektet e lëna në mes, pasi siç deklaron ai “tani qeveria ka ndryshuar dhe jam këtu për të parë nëse me të vërtetë ndryshimet kanë ndodhur dhe cilat janë mundësitë për të bërë biznes në Shqipëri”.

Ndryshe nga dy intervistat e mëparshme nëpërmjet SKYPE, Top Channel u takua me zotin Ansar, kësaj here ballë për ballë për ta pyetur jo vetëm për planet e biznesit. Fillimisht ai i përgjigjet pyetjes nëse ndjehet i keqardhur për atë që ndodhi 4 vite më parë, kur nuk mundi të realizonte projektet pasi u përball me një sërë problemesh.

“Natyrisht, nga këndvështrimi i një biznesmeni është gjithmonë e vështirë kur projektet në biznes nuk realizohen për arsye të ndryshme. Në rastin tonë kishim një dilemë pasi na u kërkua një shumë parash për atë që na u përshkrua si “tarifë-suksesi” prej 3% nga vajza e kryeministrit. E gjitha kjo në pikëpamjen time ishe një diçka jo normale. Siç edhe ju tregova në intervistat e fundit që zhvilluam bashkë, nëse ju pajtoni një avokat ata do t’ju kërkojnë një tarifë standarte. Në rastin tonë na u kërkua të paguanim 200 euro për 1 orë pune dhe në fund të kontratës për suksesin e projektit na u kërkua 3%. Këtë kërkesë për 3%-shin unë nuk e konsiderova si të drejtë dhe prandaj nuk e nënshkruam kontratën. Ishte për të ardhur keq që ky investim nuk u realizua. Ata që humbën nga ky projekt nuk ishte vetëm kompania ime, por më së shumti populli shqiptar. Nga të tilla projekte populli shqiptar do të përfitonte një energji elektrike të lirë, një numër të madh të punësuarish me rroga të mira, por asnjë gjë nuk ndodhi. Natyrisht ne humbëm para’, por në fund ishte populli shqiptar ai që humbi”, thotë Ansar.

Zafar Ansar gjatë intervistës e cilëson kërkesën e studios ligjore të Argita Berishës si një aferë korruptive. Ai është i mendimit se ata të cilët u bënë pengesë për investimet e tij duhet të vihen përpa llogaridhënies. Por, a është i gatshëm Zafar Ansar të bashkëpunojë me drejtësinë shqiptare për t’i shkuar deri në fund denoncimit të tij?

Kjo dhe shumë pyetje të tjera marrin përgjigje në intervistën e plotë e cila do të transmetohet në edicionet e lajmeve të së enjtes në Top Channel.

Top Channel