Ban Ki-moon: Të gjitha palët fajtore për Sirinë

24/04/2014 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i OKB ka akuzuar të gjitha palët si fajtore në luftën civile të Sirisë duke e cilësuar si shkelje flagrante mungesën e ndihmës për popullin sirian.

Ban Ki-moon i kërkoi Këshillit të Sigurimit që të zbatojë rezolutën e miratuar në muajin Shkurt. Në raportin e tij mbi Sirinë Ban Ki-moon tha se gati 3.5 milion civilëve i janë mohuar kushtet bazë të jetesës, duke përfshirë edhe ndihmën mjekësore.

Rreth 150 mijë persona janë vrarë dhe shumë të tjerë kanë braktisur banesat e tyre që nga fillimi i konfliktit 3 vjet më parë në Siri.

“KS e OKB-së duhet të marrë masa të menjëhershme për shkeljet flagrante të parimeve themelore të së Drejtës Ndërkombëtare”, tha Ban Ki-moon, i cili shtoi se situata po përkeqësohet.

Top Channel