Bignardi prezanton librin

24/04/2014 00:00

Autorja Daria Bignardi e ka promovuar ditën e sotme në programin e mëngjesit romanin e saj “Akustikë e përkryer”.

E ftuar në “Wake Up” gazetarja dhe shkrimtarja italiane, Daria Bignardi ka treguar se ky libër, që është i treti për të, është shkruar për dy vjet dhe se nuk ka aspak elementë autobiografikë në brendësi.

“Ky libër më ka marrë dy vjet, pasi ka kaluar fazat e ndryshme që merr një libër. Në këtë libër nuk ka asgjë nga historia ime, nuk ka asgjë nga martesa ime”, thotë autorja.

Përpos bisedës mbi librin e saj më të ri të botuar nga “Dudaj”, Daria Bignardi është ndalur edhe tek përshtypjet e saj për kryeqytetin shqiptar.

“Neve jemi të dashuruar me këtë atmosferë që është krijuar në Tiranë, me njerëz që takojmë, me njerëz që janë kureshtarë. Unë po ndihem mirë dhe jam kurioze për të njohur vendin tuaj”, tha Bignardi.

Ajo ka premtuar se do të vijë sërish në Shqipëri, duke theksuar se ka një kureshtje të madhe për të vizituar natyrën shqiptare. Daria Bignardi, autore dhe prezantuese e një sërë programesh në televizionin italian do të vazhdojë promovimin e librit të saj  sot në Festivalin e librit dhe Artit Pamor.

Top Channel